Jan Peter Hauge është mjaftuar me 90 minuta për të arritur që të befasojë drejtuesit e skuadrës së Milanit. Anësori ofensiv luajti përballë kuqezinjve duke i hapur jo pak problem prapavijës së ekipit të Piolit.
Lojtari regjistron statistika të shkëlqyera si në kampionatin norvegjez, ashtu edhe në kualifikueset për Ligën e Europës, çka ka bërë që kuqezinjtë ta planifikojnë seriozisht blerjen e tij.
48 orë më parë drejtori sportiv i “Djallit”, Masara, deklaronte se 20-vjeçari nuk ishte në planet e klubit, por mediat e ndryshme këmbëngulin për vërtetësinë e bisedimeve.
Madje, nëse akordi nuk është gjetur, ka ndodhur sepse Milani ka ofruar 3 milionë euro, ndërkohë që Bode Glimt pretendon të paktën 6, aq më tepër që 3 milionë euro i kishte refuzuar disa javë më parë kur i kishin ardhur si ofertë e Dinamos së Zagrebit.
Tashmë çështja duket drejt zgjidhjes dhe Hauge është shumë pranë kalimit te Milani, që thuhet se do të ofrojë 4 milionë euro plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh. Pritet vetëm konfirmimi, por akordi është thuajse i mbyllur. Vetë futbollisti mezi pret largimin nga Norvegjia, pavarësisht se kryeson kampionatin me ekipin e tij.
Tashmë që ka ardhur edhe thirrja e parë në kombëtare, anësori ndihet gati më tepër se kurrë për të luajtur në nivele më të larta. “Nëse qëndroj në Norvegji, javët do të më duken shumë më të gjata e do të jetë kohë e humbur”, ka deklaruar Jan Peter Hauge.