Myrto Uzuni vazhdon të shënojë dhe të tregojë një formë të admirueshme në sezonin e tij të parë në radhët e Ferencvarosh në kampionatin hungarez të futbollit.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka gjetur sot përsëri rrjetën në fitoren 5-2 të Ferencvarosh kundër Paks, duke përmirësuar statistikat e tij personale në një edicion ku klubi i tij dominon dhe po ecën i qetë drejt titullit kampion.

Uzuni zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në fazën sulmuese, duke ndihmuar skuadrën që të ndërtonte aksione të rrezikshme nga të cilët erdhën golat e njëpasnjëshëm. Por nëse nuk gjeti rrjetën me aksion, ai e gjeti nëpërmjet një goditje nga pika e bardhë e penalltisë, duke shënuar në minutën e 49 të sfidës golin e 2-0 për Ferencvarosh.

Ky ishte goli i 9 për Uzunin në këtë kampionat, duke barazuar vitet e tij më të mira në karrierë në futbollin elitar, pasi kishte shënuar të njëjtin numër golash me Laçin në sezonin 2017-2018 dhe me Lokomotiv Zagreb në sezonin 2019-2020. /vipsport/