Vllaznia do udhëtojë sot drejt Tiranës për tu ndeshur me Partizanin. Duel që është i vlefshëm për javën e 16-të të Superiores dhe që me patjetër merr vlera të mëdha. Për faktin se të dy ekipet luajnë për objektiva madhorë këtë edicion. Ku një sukses i kuqebluve do rihapte çdo gjë në kampionat.

E motivimi në kampin shkodran patjetër që është në kulm, por pas nuk ngel as Partizani. Duket se të kuqtë e kanë përgatitur shumë seriozisht ndeshjen e sotme dhe trajneru Collela ka përcaktuar edhe formacionin që do zbresë sot në fushë.

Në portë ka një dilemë mes Rexhepit dhe Hoxhes, ku kapiteni legjendar i të kuqve ka fituar shumë terren pas paraqitjes shumë pozitive në derbi kundër Tiranës.

Në mbrojtje nga e djathta pritet të veproi Hadroj, që këtë sezon ka qenë i shkëlqyer me “demat”. Qendra e mbrojtjes pritet të përbëhet nga dyshja Bitri dhe Sota ndërsa në të majtë do i besohet të riut Buxhelaj. Mesfusha e trajnerit italian pritet me 3 futbollistë. Ku të preferuarit e Collelas duket se ngelin: Murataj, Rrapaj dhe Matondo.

Në sulm i paprekshëm është Skuka, ku dibrani do ketë edhe mbështetjen e Hotit dhe Cares. Ky i fundit u shpall edhe lojtari më i mirë i muajit dhjetor në Superiore. Sfida pritet mjaft interesante dhe do startojë për kënaqësinë e gjithë sportdashësve në orën 16:00 të ditës së sotme.
Endri ÇINARI