Vllaznia-Egnatia, sfida që u luajt pasditën e sotme në “Loro Boriçi” dhe që u fitua nga rrogozhinasit me rezultatin 0-1, ka zhgënjyer të gjithë të pranishmit në shkallët e stadiumit. Në fakt, numri i tyre nuk ishte fort i madh, por në sytë e atyre që ishin prezent, dukej qartë zhgënjimi që ata pësuan.
Një prej tyre që e ndoqi live përballjen Vllaznia-Egnatia është edhe Ardit Krymi, ish-futbollisti i kuqebluve, i cili tashmë është pjesë e Shakhtyor Soligorsk në kampionatin bjellorus.
Krymi, duke qenë se tashmë e ka mbyllur kampionatin me ekipin e tij, është rikthyer në Shkodër për një periudhë kohore dhe nuk ka ngurruar ta ndjekë live në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” skuadrën e tij të zemrës, Vllazninë.
Megjithatë, ashtu si edhe shumë të tjerë tifozë të Vllaznisë, edhe Ardit Krymi ka dalë i zhgënjyer nga stadium, pasi kuqeblutë shfaqën shumë dobësi në këtë ndeshje ndaj Egnatias, duke u mundur me rezultatin 0-1.
Maringlen ZHIVANI