Kristijan Vulaj ishte padyshim një nga afrimet më të rëndësishme të verës për Vllazninë. Shqiptaro-malazezi vinte pas tre sezonesh shumë të mira te Deçiç në kampionatin fqinj dhe u bë pjesë e kuqebluve në verë.

Me të ardhur, ai shënoi shpejt në miqësoret e luajtura në Austri, por nuk arriti të zërë një vend në formacion. Shpesh herë i pyetur edhe nga “Shkodra Sport”, trajneri Josa nuk ka dhënë shumë detaje mbi lënien e Vulajt në stol, duke thënë vetëm se ai nuk i përshtatet skemës së tij.

Megjithatë, e vërteta është se trajneri Josa nuk e ka aktivizuar në asnjë ndeshje në kampionat që nga data 7-tetor në humbjen ndaj Partizanit në “Loro Boriçi”. Në fakt, nga sa është parë në seancat stërvitore, fantazisti është stërvitur normalisht me grupin në çdo ditë jave, por më pas ai nuk aktivizohet fare.

Edhe vetë Vulaj në një komunikim të shkurtër me të, ka pranuar se gjendja e tij aktualisht është e mirë, por për aktivizimin e tij vendos dikush tjetër, pikërisht trajneri Josa.

Në fakt, situata e Kristijan Vulajt mbetet realisht e çuditshme, pasi jo vetëm që është një nga futbollistët më të vlerësuar nga faqja e specializuar “Transfermarkt”, por është edhe një nga futbollistët më të paguar të Vllaznisë, teksa një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë trajneri Josa.
Maringlen ZHIVANI