Belgjika është një përfaqësuese që ka vizituar shpesh Shqipërinë, madje edhe në kulmin e tyre si në vitin 1984, një sfidë e vlefshme për eliminatoret e “Euro1986”, në mitikun “Qemal Stafa” zbrisnin me statusin e vendit të katër në botëror.
Ajo ishte sfidë do të kujtohet gjatë nga tifozët shqiptarë, ku kuqezinjtë triumfuan me rezultatin e pastër 2-0 me gola të shënuar nga Mirel Josa dhe Arben Minga. I ftuar në “Euromania”, Mirel Josa rrëfeu emocionet e atij takimi të çmendur duke zbuluar edhe detaje nga pritja që i bën tifozët, dhe dhuratën e veçantë që mori nga një tifoz.
“Edhe Belgjika atëherë ka qenë shumë e fortë. Tani është më e fortë. Ka pasur lojtarë shumë të mirë. Ka pasur lojtarë, të cilët tani janë bërë trajnerë. Dua të them, që nuk mund të bëjmë krahasime, të atëhershme me këta tani.
Ndeshja e parë ka qenë kur Omuri shënoi golin e barazimit. Arbitrimi në Belgjikë? Nuk kishte shumë probleme të arbitrit, ne gabuam vetë, në zonën e rreptësisë. Në një rast e kam gabuar edhe unë, kur pësuam, sepse nuk e markova mirë lojtarin në zonë. Unë në përgjithësi kështu lojtar kam qenë, doja ta kapja mbrojtjen kundërshtare në befasi.
Atëherë ka qenë futbolli e vetmja gjë që mund të argëtoheshin njerëzit. Unë do tregoj një rast që më ndodhi. Një javë pas ndeshjes që luajtëm këtu me Belgjikën, shkuam luajtëm në Kuçovë me Tiranën. Fituam 2-1, unë shënova golin e dytë të ndeshjes dhe më vjen një njeri që nuk e njihja.
Më dha 4 kokrra portokalle dhe 4 kokrra mollë dhe më tha: ‘Merri ti se na kënaqe me Belgjikën’. Aty u hodh Ben Minga dhe i tha pse nuk i dha portokall. Ai tifozi i tha që golin e parë e shënoi ky, për mua. I thashë pastaj Mingës që gjysmat do ia jepja atij”, tha Josa.