Mario Beshiraj ishte heroi i Kukësit këtë fundjavë, pasi me golin e tij i dha fitoren kundër Laçit dhe mbajti gjallë shpresat sa i përket mbijetesës. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, autori i katër golave këtë edicion me të blutë nuk e fsheh kënaqësinë që i dha tri pikët skuadrës, pasi ishin të dënuar për të marrë maksimumin.MARIO BESHIRAJ
“Le të themi që ndihem i çliruar dhe sigurisht tepër i lumtur që i dhashë fitoren skuadrës. Ishim të dënuar për të marrë tri pikët dhe kjo ishte një fitore që të jep shpresë. Duhet të vazhdojmë të bëjmë një punë shumë të madhe për të vazhduar duke shpresuar deri në fund”, u shpreh fillimisht sulmuesi i bluve.
Në lidhje me faktin që për afro pesë muaj nuk kishin fituar dhe rëndimin nga ana psikologjike, Beshiraj pohon se janë përpjekur të përmirësohen vazhdimisht.
“Kemi parë anën tjetër të monedhës, duke i shikuar pozitivisht gjërat. Duke përmirësuar dhe minimizuar ato pak gabime që kemi bërë në të shkuarën”, vijoi më tej Mario Beshiraj.
VLLAZNIA – Kukësi fitoi një betejë, por lufta deri në fund është e gjatë. Këtë javë kalendari i vë kundërshtarin më në formë të momentit, Vllazninë, që nga ana tjetër synon titullin kampion. Beshiraj vlerëson shkodranët, por në fushë do të hyjnë për të fituar ndeshjen, pasi vetëm kështu mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë.
“Kundërshtari ka shumë vlera, duke nisur nga historia në futbollin shqiptar dhe deri te forma që po kalon aktualisht, sidomos këto 10-15 ndeshjet e fundit. Megjithatë, ne synojmë t’i marrim maksimumin kësaj ndeshjeje”, vijoi më tej sulmuesi i Kukësit, që nuk i trembet aspak ekipit të momentit në futbollin shqiptar.