Largimi i Fallou Diagne nga Vllaznia ishte si një “rrufe në qiell të hapur” në klubin shkodran. Qendërmbrojtësi afrikan me një përvojë të jashtëzakonshme në kampionatet elitare në Europë ishte pikë kyçe në prapavijën kuqeblu.

32-vjeçari e nisi sezonin me probleme për shkak të një dëmtimi të mbartur. Megjithatë arriti të gjente shpejt formën teksa u aktivizua në këtë edicion plot 26 ndeshje, 23 prej të cilave i nisi nga minuta e parë.

Shtatlarti 32-vjeçari shënoi edhe 2 gola duke bindur plotësisht stafin drejtues se kishin bërë zgjedhjen e duhur. Mirëpo problemet me vonesat e pagave si dhe lënia jashtë në Kupën e Shqipërisë kundër Partizanit, kanë krijuar pakënaqësi.

Kësisoj senegalezi i ka dhënë fund aventurës te Vllaznia duke u larguar pikërisht në momentin kur shkodranët kishin më shumë nevojë se kurrë për të.

Edhe përmes ironive, drejtuesit kanë treguar se ka qenë një zgjidhje e njëanshme kontrate, fakt mbetet se Diagne ishte shtylla e mbrojtjes te Vllaznia dhe njeriu që “kuroi” prapavijën kur Vllaznia e vuante prej vitesh gjetjen e një lojtari “center-back” me karakteristika të tilla./newsport/