Dëmtimet e shumta, kryesisht në repartin e mbrojtjes, kanë detyruar drejtuesit e Milanit që të shohin për përforcime në merkaton e dimrit, pasi skuadra kuqezi rrezikon të luajë pa një mbrojtës qendre për një periudhë të gjatë. Dëmtimi më i fundit, ai i Alessio Romagnoli, ka vënë në alarm të gjithë skuadrën, ndaj hipotezat për përforcime janë të shumta.

Sipas “Tuttosport”, nga Premier League pritet të vijë në janar mbrojtësi 32-vjeçar Gary Cahill, që luan me Chelsea dhe njëkohësisht anëtar i ekipit kombëtar të Anglisë.

Cahill është aktivizuar shumë pak nga trajneri Maurizio Sarri këtë sezon, ndaj ai mund të transferohet që në janar në Milanello. Një lëvizje e dëshiruar edhe nga vetë “blutë” e Londrës, pasi kontrata e Cahill skadon në fund të këtij sezoni.

Cahill është një mbrojtës me përvojë, 13 gola në 190 ndeshje me Chelsea, ku luan që prej vitit 2012, ndërsa me kombëtaren e “3 luanëve” la realizuar 5 gola në 16 takime. Por këtë sezon ai ka luajtur vetëm 20 minuta në Premier League, pasi Sarri nuk e konsideron si të përshtatshëm për skemat e tij, ndaj transferimi te Milani i trajnerit Gennaro Gattuso do të ishte një zgjidhje ideale për të gjithë.