Egnatia është gati për debutimin historik në Europë. Asnjë shenjë lodhjeje prej udhëtimit dhe shumë po shumë dëshirë për ta luajtur këtë ndeshje në Ligën e Konferencës. Optimist para kësaj përballjeje kundër Araratit shfaqet edhe trajneri Edlir Tetova. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” nga Jerevani, numri një i stolit evidentoi se mungesa nuk kanë dhe kjo ia bën më të lehtë gjithçka. E ka të qartë se i pret “malorja”, por e di se çfarë kërkon prej të tijve: të hedhin hapa drejt kualifikimit.

Si shkoi udhëtimi drejt Jerevanit?
Itinerari që ndoqëm ishte Prishtinë – Stamboll. Në këtë të fundit u akomoduam në një hotel. Të nesërmen të çlodhur plotësisht u nisëm drejt Jerevanit. Skuadra mbërriti shumë mirë në kryeqytetin armen. Mund të pohoj se nuk e kemi ndjerë aspak lodhjen. Jemi të gatshëm për ndeshjen e sotme ndaj Araratit. Po gjendja e skuadrës si paraqitet? “Atmosfera është ajo e duhura. Nuk kemi dëmtime. Skuadra është e plotë për të përballuar denjësisht ngarkesën e kësaj ndeshjeje të parë për Egnatian në historinë e saj të re tashmë dhe në Europë”…

Cila është shprehja më motivuese që keni përdorur këto dy ditët e fundit me futbollistët?
Egnatia funksionon si familje. Presidenti Demrozi ua ka bërë të qartë të gjithëve pjesën e përkushtimit në fushë. Ndërsa unë kam thënë, se përderisa nuk jemi të lodhur, por të relaksuar e në maksimumin e formës sonë sportive, pasi kemi bërë përgatitje shumë serioze dhe kem një gjendje psiko-fizike shumë normale, atëherë duhet të japim më të mirën tonë.

Diçka për formacionin që do të zbresë nesër (sot) në fushë?
Më vjen keq që do të na mungojë kapiteni Santos Xhekson, i cili tani është pjesë e Istanbulsporit në Turqi. Gjithsesi, ne kemi shumë lojtarë me një përvojë të konsiderueshme. Përgjithësisht 80 për qind e formacionit do të jenë futbollistët që fituan Kupën e Shqipërisë në finalen ndaj Tiranës, më 1 qershor të muajit të kaluar në Elbasan.

Nga informacionet e fundit që keni marrë për kundërshtarin, çfarë ju shqetëson?
Jo, detyrat tona njohëse janë mbyllur tashmë. Është fusha e lojës që do të tregojë realisht se çfarë kundërshtari do të kemi përballë. Ne bëjmë llogaritë tona dhe duam që të hedhim një hap drejt kualifikimit tonë për turin tjetër, që nga ndeshja e parë.

Nuk ka Ararati ndonjë lojtar që duhet t’i “trembeni”?
Në këto ndeshjet e fundit e kemi ndjekur kundërshtarin. Kjo dhe për faktin që Ararati ka ndërruar shumë lojtarë në momentet e fundit dhe trajnerin. E ka qenë pak e vështirë për ne për të marrë informacione. Kemi parë dy lojtarë siç është numri 10 që luan në mesfushë dhe sulmuesi Za, të cilët mendoj se bëjnë diferencën. Kemi bërë një analizë të hollësishme të këtyre lojtarëve dhe kemi marrë masat tona.