Përballja e orës 17:00, aty ku do të kenë sytë dhe veshët shumë shqiptarë, normalisht që nuk ka ngjallur interesin vetëm të atyre që banojnë në Shkodër, Korçë, Kamzë apo Tiranë.

Është një ndeshje që do të ketë interesin dhe vëmendjen e shumë tifozëve që presin të mësojnë se si do të jetë fundi i Vllaznisë dhe çfarë feste do të organizohet në fund.

Megjithatë, kjo përballje ka ngjallur edhe interesin e mediave serbe, të cilat duket se kanë blerë të drejtën televizive për të transmetuar këtë takim.

Është kanali “SportKlub” në Serbi që ka vendosur që të transmetojë dhe të shpërndajë sinjalin e këtij takimi siç shihet dhe në sajtin ndërkombëtare të rezultateve të ndeshjeve sportive, “flashscore.com”.

Nuk dihet pse ka shkaktuar kaq vëmendje ky takim, ndërkohë që Skënderbeu më parë është përballur me Partizan Beograd në grupet e Europa League.

Por, fakti që Skënderbeu e ka siguruar titullin që prej tre javësh, normalisht që ngre dyshime për mënyrën se pse është blerë e drejta televizive për këtë takim.

Sot në Korçë mund të ketë dy lloj festash, kjo dihet. Nëse Vllaznia fiton dhe Kamza humbet, atëherë festës së korçarëve do t’iu bashkohen dhe shkodranët që deri në frymën e fundit do të mendojnë për mbijetesën.

Kjo është e qartë, tashmë na pritet të mbajmë sytë nga ekrani për një ndeshje dhe veshët nga radio për takimin tjetër.

Normalisht, janë dy sfida që e gjithë Shqipëria ka interes të mësojë se si do të jetë fundi i tyre. /EDS/