Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi nuk ka mundur dot të jetë në pankinë në ndeshjen e djeshme, kjo për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën e parë në Elbasan.
Në këto rrethana, ai ka preferuar që ndeshjen e djeshme me Partizanin, ta ndjekë nga tribuna e gazetarëve. Lekiqi ka përjetuar me ankth çdo moment të këtij takimi, sidomos momentet e penalltive.
Jo pak herë, në këtë përballje, Lekiqi ka reaguar ndaj asaj që lojtarët paraqisnin në fushën e lojës. Trajneri i portierëve e ka ndjekur mes shumë emocionesh sfidën, duke shprehur herë pas here edhe irritimin e tij në momente të veçanta.
Gjatë ndeshjes, Lekiqi nuk ka ngurruar shpesh të japë udhëzime me zë të lartë për lojtarët kuqeblu. Por në fund është ndjerë ndoshta më i lumturi nga të gjithë sepse portieri që ai stërvit, Zogoviç, ishte njeriu që me pritjen e 11-metërshit i dha fitoren Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI