Administratori i Fla murtarit, Sinan Idrizi, kërkon ndëshkim nga drejtësia për të gjithë ata që prishin garën. Këtë e ka edhe për Bujar Pregjën. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Idrizi thotë se duhet të ketë dënim penal.

“Unë nuk bëj opozitë për opozitë. Nuk më shkoi mendja një natë të bukur që hajde të bëjmë opozitë për FSHF-në, kundër kryetarit të federatës, apo zv.presidentit të UEFA-s. Përgjegjësitë e ekipit janë të miat, të stafit, të gjithëve bashkë, por përgjegjësitë e organizatorëve të garës, janë përgjegjësit e tyre. Unë i kam thënë kryeministrit Rama disa herë, që duhet t’i shkohet deri në fund. Në Shqipëri duhet të dënohen penalisht ata që shëmtojnë futbollin. Jemi i vetmi vend që nuk kemi dënuar asnjë klub, asnjë arbitër. Unë nuk dua që të justifikohem, se Flamurtari tani është në vend të tretë. Që në fillim të kampionatit thuhet se ky ekip do dalë i pari dhe këta të dy hyjnë në Superiore, pasi janë njerëz të afërt të presidentit të FSHFsë”, shprehet fillimisht Idrizi.

DENONCIMI – Sinan Idrizi thekson se problemi në Shqipëri është se asnjë nuk denoncon. Sjelljen e Bujar Pregjës e cilëson si gangster dhe i bën thirrje institucioneve të veprojnë. “Problemi në Shqipëri është se askush nuk denoncon. Ne kemi denoncuar zotin Pregja. Unë pres tani nga prokuroria që të hedhë hapin e dytë. Unë nuk di çfarë të bëj më. Kam çuar dy herë Flamurtarin në prokurori, kur ishim në Superiore. Në rastin konkret, vjen një i deleguar i FSHF-së që merr përsipër të bëjë edhe të deleguarin edhe gangsterin. Një njeri që në një ndeshje normale, ku gjaknxehtësia është pjesë e futbollit, por edhe tribunat për shkak të kualitetit të njerëzve, janë të vështira për t’u menaxhuar dhe njerëzit duhet të jenë pak më gjakftohtë.

Ai që duhet të jetë më gjakftohti është ai që fyen tribunat. Ju e patë, unë kam video, i kemi publikuar dhe kemi edhe të tjera. Nuk erdhi njeri dhe të thoshte ore zotëri, ky që krekoset me stemën e FSHF-së dhe që agravon një stadium… Nëse ndonjë i ri do ta kishte goditur me shishe qelqi dhe do të ishte gjakosur në kokë, çfarë do të ndodhte? Flamurtari do të ishte dënuar me një vit, mund të kishte dhe probleme të tjera sociale. FSHF-ja nuk e ka fare sensitive anën sociale, se po të ishte ndryshe nuk shkatërronim futbollin, nuk shkatërronim qytetet e Shqipërisë.

Unë jam i habitur që edhe sot nuk na ka ardhur asnjë reagim nga policia dhe prokuroria. E kam denoncuar për prishje gare, për pasojat sociale, për dhunën dhe nxitje të urrejtjes. Çfarë do më shumë se kaq. Detyra ime është të denoncoj. Unë di që policia ia ka kaluar prokurorisë. Të denoncoj këtë personazh të krekosur që vjen këto me stemën e FSHF-së dhe bën rolin e një rrugaçi. Këta persona frymëzohen, edhe gangsterë edhe zyrtarë. Turpi është i atyre që organizojnë garën”, thotë Idrizi.

HETIMI – Pavarësisht se Sinan Idrizi deklaron se Policia e ka çuar çështjen në Prokurori, deri dje nuk rezultonte kështu. “Panorama Sport” u interesua dje pranë Prokurorisë së Vlorës, ndërsa burimet pohojnë se ende nuk është regjistruar një çështje e tillë.