Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Panorama Sport”, në “Panorama TV”. Ai foli për ndeshjen e tensionuar mes Flamurtarit dhe Dinamos e cila u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të dinamovitëve. Idrizi bëri deklarata shumë të forta ndaj Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Gjithashtu Idrizi tha se ata nuk duan që Flamurtari të ngjitet në Superiore, por që ai dhe lojtarët do bëjnë të pamundërtën për të arritur objektivat.

“Atmosfera në përgjithësi është optimiste, por pas situatave të shëmtuara ditën e djeshme është pak e tensionuar. Jemi afër pritshmërive, nuk jemi larg, por diku afër. Nuk komentoj arbitrat, unë komentoj atë shfaqje të shëmtuar që arbitrat me porosi të drejtuesve të tyre vendosën dje të na ofronin në Vlorë, pra një një stadium të tejmbushur me një entuziasëm, këta ekzekutuesit e fundit të vendimit që merret nga burracakët, që nuk janë në gjendje të fitojnë ndeshjet në fushë por në tavolina dhe bëjnë atë që të gjithë ju e patë, komentoj ata që rrinë pas manekinave që janë frymorë dhe nuk kanë pikën e ndërgjegjies për profesionin që ata kanë marrë përsipër të bëjnë.

Unë jam i drejtpërdrejtë, Komiteti Ekzekutiv pranë FSHF-së, janë ata që tallen me djersën tonë, unë investoj individualisht. Zotërinjtë që organizojnë këtë garë duhet të kenë turp që shfaqen me këtë mentalitet, në këtë këtë kategori kanë hyrë në lojë të gjithë korbat e politikës, që janë të deleguarit e të gjithë qarqeve që meqë është fushatë elektorale, po prishin garën.

Kanë hyrë korbat e tyre që duan të nxjerrin me patjetër ekipet e tyre, janë të gjithë korba që duan të fitojnë ndeshjet në tavolinë dhe jo në fushë. Këta korba, kanë një krye korb që është ky Komitet Organizativ të kësaj gjëje. Unë me trajnerin kisha bërë një marrëveshje miqësore, Marselo Troisi më tha sot: “Të lutem më trego pak nga ndeshja e djeshme, një moment kur Dinamo gjuajti 1 herë në portë”?

Por unë ngaqë nuk bëj një analizë teknike nuk i ktheva përgjigje, ata e fituan si e fituan, unë e përsëris, ndeshje të tilla nuk dua ti fitoj kurrë në tavolinë. Nëse këta nuk e duan Flamurtarin në Superiore, le të vazhdojnë. Jemi në kontakt me 3 trajnerë, deri nesër në mbrëmje mund të kemi një vendim. Ne kur i futemi një gjëje ose do ta bëjmë ose do ta bëjmë, nuk lejojmë alternativë të tretë, edhe nëse faktorët subjektivë do të luajnë keq kundër nesh. Unë pres me padyrim vendimin e FSHF-së për këtë djaloshin (Kreshnik Cjapin) që nuk ka pikën e ndërgjegjies, që luan me djersën e të tjerëve, që nuk e di nëse ka nënë ose baba në shtëpi.

Si mund të ndjehet familja e tij kur sheh që ai shahet në kor për një veprim, ka një moral, një nder pune ky njeri? Duhet të bëjë analizat e gjakut dhe të shikojë sa e ka ADN-në e ndershmërisë. Nëse djali ka një bipolaritet atëherë të na tregojë arsyet që e kanë shtyrë në këtë vendim, unë nuk merrem me fjalët e klubeve. Nuk na rrahin dot në fushë, le të na rrahin me arbitrat. E kam thënë ose të jemi të parët ose të fundit”, u shpreh ai për “Panorama TV”.