Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, është i bindur se futbolli shqiptar do të përballet me ndryshime të mëdha dhe se pandemia thjesht ka përshpejtuar më shumë krizën e paevitueshme. Në një prononcim për “E Dell”, Idrizi ka folur për tema të ndryshme por sidomos për situatën e rënduar ekonomike me të cilën përballen klubet shqiptare.
“Në Shqipëri vetëm futboll me kuptimin e plotë të fjalës, futboll si ekonomi, nuk ka. Ka disa fusha futbolli, disa djem që vrapojnë, ka edhe disa që shkojnë pas tyre dhe kaq.
Asambleja pa kundërshtime? Nuk e di po unë kam votuar të paktëm për 4 çështje kundër. Kam votuar kundër një njeriu që nga bota e politikës është futur kot në futboll, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, një njeri i tepërt, një apendisit i tepërt në strukturat e futbollit, e kam votuar kundër. Për gjërat që nuk më pëlqejnë jam kundër.
Rënia e Flamurtarit? Nuk di çfarë duhet të thonë skuadrat e tjera, e kam pranuar dështimin tim, por nga tjetër kam kërkuar kushtet e një administrimi tjetër. Sot klubi nuk drejtohet nga një biznesmen, drejtohet nga një defiçient i vetëdijshëm i cili e ka kthyer veten në një bankomat të prishur.
Unë jam administrator deri më datë 31 korrik, deri në këtë kohë kam obligimet e mia dhe do të zeroj borxhet e Flamurtarit. I bëj thirrje mikut tim Gjika të vijë të shlyejë kompanitë që kanë bllokuar llogaritë. Unë dua që më datën 31 korrik të mos i lë atij tjetrit një listë borxhesh që t’I bëhen barrë siç m’u bë mua gjatë kësaj kohe.
Me kryeministrin Rama dhe deputetin e Vlorës, kemi folur për projektin tim Vlora Sport. I kam kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë atë të shumëpërfolur Ligj të Sportit që shpresojmë të miratohet, edhe ashtu i cunguar që është por të paktën të fillojmë. Unë kërkoj të investoj te fushat e mia, ambientet e gjithçka, për këtë kam folur me kryeministrin. Pjesa tjetër është përgjegjësia ime. Jam administrator me 0 përqind aksione e 100 përqind investim.
Bojkotet e lojtarëve? Kjo historia e bojkotit për arsye pagash është klasike e futbollit shqiptar, e kam vuajtur vetë. Nëse duam të respektojmë për dy e faqe kampioantin, ta pranojmë siç është. Lojtarët nuk kanë pse bëjnë shfaqje. Me sa di unë kanë edhe Sindikatën tani lojtarët. Nëse kanë gjëra për të zgjidhur, të shkojnë në rrugë juridike ta zgjidhin.
Të gjitha klubet shqiptare kanë probleme të thella financiare, pa përjashtim. Pas kësaj krize, bashkitë shqiptare që financojnë klubet, nuk do të kenë mundësi të financojnë dhe do të shihni vitin tjetër se çfarë do të ndodhë me buxhet e klubeve tona. Këmbanat tani po bien”, tha ndër të tjera Idrizi. /vipsport/