Një ultimatum, që mesa duket është i fundit, vjen për Flamurtarin nga numri një i klubit vlonjat, Sinan Idrizi. Të gjithë duhet t’i bëjnë llogaritë mirë nga ndeshja e radhës me Besën dhe deri në fund të kampionatit, pasi presidenti kuqezi kërkon vetëm fitore dhe nuk pajtohet as me barazimin. Idrizi ka mbetur më shumë se i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së fundmi në takimin me Turbinën dhe kjo gjë e ka mërzitur tej mase.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Idrizi ka ironizuar trajnerin Marcelo Troisi dhe futbollistët, që sipas tij po festonin Shën Valentinin, pavarësisht se ishte 4 ditë para, duke qenë se sfida e fituar 1-0 është luajtur më 18 shkurt.

Duke zhvlerësuar të tijtë, kreu i klubit thekson se lojtarët më të mirë ishin vlonjatët e kundërshtarit, Balla dhe Metani. Idrizi nuk toleron më dhe vendos kushtin: “Ose vend i parë, ose i fundit”. Ndërkohë, në prononcimin për gazetën, ai zbardh edhe qëllimin e një takimi që dje zhvilloi me kryebashkiakun Dritan Leli.

Zoti Idrizi, Flamurtari fitoi me vuajtje ndaj Turbinës. Çfarë përshtypje ju la ky takim?

Me Turbinën ishte ndeshja më e shëmtuar që mund të kemi luajtur. Balla dhe Metani, që i kemi huazuar te skuadra cërrikase, ishin futbollistët më të mirë në fushë. Ndërsa këta tanët… Të të bëj një pyetje, kur u luajt ndeshja me Turbinën, çfarë date ishte?


Më 18 shkurt, por çfarë doni të thoni me këtë?

Dua të them se trajneri dhe lojtarët tanë ishin duke festuar Shën Valentinin. Mesa duket e kishin mendjen te trëndafilat dhe petalet dhe nuk kanë menduar për ekipin.


OK, por pas ndeshjes me Turbinën trajneri Troisi u shpreh se bëri prova me skemën. Keni një koment?

Shiko, unë nuk jam ekspert skemash. Unë nuk bëj skema. Por në atë ndeshje ekipi luajti shumë shëmtuar!


Çfarë prisni nga ndeshja me Besën, që do të luhet në stadiumin e Beratit?

Çfarë pres unë nga Besa? Flamurtari nuk ka shanse më, ose vendin e parë ose vendin e fundit! Nuk dua as vendin e dytë dhe as të tretë.


Është ultimatum ky që po i vendosni skuadrës?

Nuk ka më histori tani. Respekt ndaj fanellës. Tani ka ose vend të parë ose të fundit. Nuk toleroj më.

Keni zhvilluar një tjetër takim me kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Mund të na zbuloni çfarë keni diskutuar?

Po është e vërtetë. Sot (dje) u takuam, sepse jemi duke ndërtuar programin për 100- vjetorin e klubit shumësportësh “Flamurtari”. Jo vetëm futboll, por edhe basketboll, not, mundje, peshëngritje, atletikë, çdo sporti që është pjesë e Flamurtarit. Ceremonia e 100- vjetorit do të zhvillohet më 25 mars në teatrin “Petro Marko”. Me Lelin diskutuam edhe për projektin “Vlora Sport”, por edhe për akademinë.


Po për skuadrën e parë të Flamurtarit, diskutuat me kryebashkiakun?

Dritan Leli është një burrë zotëri. Ai nuk futet në pjesën e futbollit dhe punët e skuadrës. E ka bërë të qartë këtë gjë.