Nga Namik MEHMETI

Skuadra Igea Virtus vazhdon ecurinë pozitive në Serie D. Në javën e 9-të të kampionatit italian, ekipi i drejtuar nga trajneri Marra mposhti me shifrat 3-2 skuadrën Nissa, që renditet në vendin e pestë.

Vendasit e nisën keq ndeshjen, pasi në minutën e 10-të pësuan gol nga Terranova. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm: Samaka barazoi në minutën e 22-të, ndërsa në fundin e pjesës së parë Calafiore përmbysi gjithçka, duke çuar shifrat në 2-1 për Igea Virtus.

Në pushim, trajneri Marra kërkoi më shumë presion dhe efikasitet në fazën sulmuese — udhëzime që u zbatuan në mënyrë perfekte. Samaka, protagonist absolut i takimit, realizoi golin e dytë personal në minutën e 90-të, duke vulosur rezultatin 3-1.

Kur gjithçka dukej e mbyllur, Diaz ngushtoi diferencën në minutën e 95-të, por ishte tepër vonë për miqtë. Fitorja 3-2 i dhuroi Igea Virtus tri pikë të arta dhe e ngjiti ekipin pranë kreut të tabelës, me 18 pikë në 9 ndeshje dhe një golavarazh pozitiv 20-13.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses po luan mbrojtësi shtatlartë me origjinë shqiptare Gerard Mirashi. Pas disa javëve të para me aktivizim të kufizuar, 22-vjeçari është bërë titullar i padiskutueshëm në pesë ndeshjet e fundit, duke sjellë stabilitet në mbrojtje dhe duke ndihmuar shpesh edhe fazën sulmuese të skuadrës.
NAMIK MEHMETI
FIRENZE