Ndeshja Vllaznia- Partizani qe u luajt pasditen e se shtunes dhe qe prodhoi nje barazim pa gola, ka patur edhe disa gjera pikante, te cilat jane evidentuar nga gazeta “Panorama Sport”.

– Shumë pak tifozë të pranishëm në sfidën e kampionatit mes këtyre dy skuadrave. Një shifër, që si kalon 1000 të pranishëm. Një numër i vogël tifozësh miq kishin udhëtuar nga kryeqyteti.

– Skuka shënon në minutën e tetë, por kapet në pozicion jashtë loje. Ka një ndalesë në VAR, por pas disa sekondash konfirmohet anulimi i golit. Tifozët shkodranë nuk i kursejnë batutat gjatë kohës kur pritej për vendimin: “O arbitër ishte pozicion i pastër jashtë loje, po na bëni me fiksime”.

– Arbitri Xhaja vërshëllen disa faulle radhazi, ndërsa drejt tij shkojnë fjalët: “E ktheve në basketboll”.

– Ka problem rrjeta e portës, që në pjesën e dytë u ruajt nga portieri Zogoviç. Menjëherë pas konstatimit kanë ndërhyrë punonjësit dhe kanë riparuar problemin me rrjetën.

– Vërshëllehet Aralica për lojën e tij të dobët nga ana e tifozëve në minutën e 77-të.

– Trajneri Mehmeti i “hakërrehet” Skukës, të cilit i kërkon të kthehet me shpejtësi për të ndihmuar mbrojtjen.

– Protesta ndaj teknikut Plori pas zëvendësimeve të Aralicës dhe Latifit në minutat shtesë të takimit. Ato kanë menduar se vetë tekniku ka kërkuar të vonojë lojën duke u shprehur i kënaqur me barazimin.

– Lojtarët e të dyja skuadrave shkojnë që të përshëndeten me tifozët e tyre. Të kuqtë marrin duartrokitje, ndërsa ekipi shkodran përballet me vërshëllima nga ana e tifozërisë shkodrane.

– Në minutën e 16-të, Ardit Krymi ka replikuar ashpër me sulmuesin Liridon Latifi. Zëvendëskapiteni ka kërkuar që Latifi të ndihmojë më shumë në manovrën mbrojtëse. Të njëjtën gjë ka kërkuar në fund të takimit edhe mbrojtësi i majtë, shkodrani tjetër, Esin Hakaj, nga sulmuesi Aralica, i cili në ato momente ishte shumë larg lojtarit që do të markonte. Hakaj i ka kërkuar llogari me tone të ashpra shokut të ekipit, por është ndeshur me agresivitetin e kroatit, i cili ka shkuar dhe e ka tërhequr nga fanella Hakajn.