Mesfushori kongolez, Masanga Matondo është larguar nga Partizani pas vetëm një seance stërvitore.

Stafi teknik i të kuqve ishte “pro” nënshkrimit me 22-vjeçarin, i cili bindi me cilësitë e tij dhe shumë shpejt pritej edhe zyrtarizimi si lojtar i “demave”, por në fund akordi është prishur.

Arsyeja është se Matondo nuk i ka tërhequr letrat nga klubi i tij i fundit dhe është ende në kontratë.

Matondo ka kontratë me AS Otoho në kampionatin kongolez dhe pasi drejtuesit e Partizanit e kanë konstatuar këtë fakt janë tërhequr dhe nuk kanë vazhduar bisedimet me Matondon, duke i lënë rrugën e hapur për t’u larguar.

Partizani nuk humb asgjë nga ky “divorc”, pasi në ekip u afruan ditët e fundit tre mesfushorë: Liço, Mala dhe Kaçe, që janë vlera të shtuara për “demat e kuq”.

Sfida e parë e Partizanit në Superiore është kundër Teutës në transfertë, ditën e premte.