Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, ka pranuar se skuadra e tij ka gabuar në minutat e fundit kur pas avantazhit i lëshoi terren Apolonisë dhe pësoi giolin e barazimit. Duke mos komentuar penalltinë e fierakëve, ai gjithsesi theksoi në “SuperSport” se ekipi kishte bërë mirë për përkushtimin, por kishte bërë disa gabime individuale

“Dua t’i qëndroj asaj që pas ndeshjes nuk dua të bëj moviolën e situatave. Ajo që ne duhej të bënim e ndoshta nuk e zgjdhëm, edhe pse e kemi ndërtuar manovrën e sulmit jo drejt për t’u përshtatur me reshjet, ato situata që duan ndoshta më shumë sakrificë para portës se në këtë terren nuk zgjidhen teknikisht situatat. Në 10 minutat e fundit kemi bërë gjithçka gabim.

Natyrshëm që ndonjëherë ekipi nuk funksionon dhe në situata të tilla, pritet edhe një zgjidhje që ne e bëmë me golin e Carës. Pastaj nuk ishte orientimi i ynë që të tërhiqeshim mbrapa. Na mungojnë ndërrimet në pozicione natyrale në mbrojtje e mesfushë, pasi mund të ndërhynim më shpejt pa prishur ekuilibrat.

Nganjëherë ndodh se vetvetiu mbrojtja në një terren të tillë me një kundërshtar që do të bënte gjithçka në minutat e mbetura, ne nuk e zgjidhëm mirë se duhej të mbanim më shumë topin në këmbë që të mos i krijonim mundësi kundërshtarit që të mos na penalizonte në sekondën e fundit.

Na duhet të ndërhyjmë, edhe pse e dimë se merkato e janarit nuk ofron shumë mundësi për lojtarë cilësore, edhe pse me dy ndërhyje që kemi bërë me Xhunior e Murataj besoj kemi marrë cilësi. Ajo që na del për detyrë, por jo duke u nxituar se mund të bëhen gabime, në merkato ekziston gjithmonë mundësi për gabime, por marzhi i gabimit të jetë sa më i vogël.

Ne na duhet që edhe pa cilësi të kemi dublime në mbrojtje. Të mos na ndodhë si në dy ndeshjet e fundit që me daljen e Hakajt e Idrizajt të pozicionojmë lojtarë si Mala që ka luajtur kryesisht në sulm. Na del detyrë që me kujdes të shohim mundësinë për të dubluar rolet.

Vetëm tre ndërrimet e para i bëmë në kohën e duhur, se nuk kishim në stol mbrojtës. Te kjo merkato duhet të fokusohemi që të paktën të dublojmë repartin e mbrojtjes që me ngjeshjen e ndeshjeve dhe me rëndimin e terreneve të kemi mundësi të freskojmë ekipin pa prekur rolet natyrale.

Unë sot jam i kënaqur me përpjekjet që bëri Melo për të qenë pjesë organike e manovrës. Natyrshëm që mungesa e ndeshjeve mund të bëjë që të humbasë ritmin e duhur, por më kryesorja nuk jam i kënaqur se nga Melo pritet cilësi tjetër loje, por jam i kënaqur nga motivimi dhe nëse do të vazhdojë kështu do të na ndihmojë në të ardhmen.

Ajo për të cilën ne kemi pasur problematikë me të, është që të gjithë lojtarët kur hyjnë në fushë të japin maksimumin për të bërë të mundur që ato mungesa që kemi sidomos në mbrojtje, t’i mbulojmë me mesfushorët.

Nuk ka ndeshje të lehta se e pamë me Apoloninë që është e fundit dhe na hapi probleme. Nganjëherë lojtarët motivohen më shumë nga këto ndeshje që në letër janë më të forta, plus edhe ekipet që kanë kundër janë njëlloj. Ne sot për shembull kishim shansin të mbanim distancën 7 pikë.

Natyrshëm që 9 pikë i jep qetësi Vllaznise se vendit të parë, por në fund fare e kanë merituar këtë distancë, ne do të vazhdojmë punën. Do të jemi shumë aktiv në merkato që të përforcojmë këtë grup që kemi dhe të marrim gjërat me radhë për të parë se çfarë kemi bërë në fund të kampionatit”, tha Daja. /vipsport.al/