Ish- mbrojtësi i Vllaznisë Ilir Dibra ka folur sot në lidhje me ecurinë e kësaj skuadre teksa ka shprehur bindjen që kuqeblutë do të rikthehen te fitorja të shtunën ndaj Apolonisë. Ai ka folur nga Kanadaja për emisionin “Fax Sport” teksa është shprehur:

“Besoj se situata do të kthehet shumë shpejt në favorin e Vllaznisë, madje që këtë javë ndaj Apolonisë dhe skuadra të vazhdojë në rrugën e duhur drejt titullit kampion. Diferenca vërtetë nuk është e madhe ndërkohë që janë edhe shumë ndeshje të tjera për t’u luajtur, por tashmë ajo ka punën më të madhe për ta ruajtur atë.

Nuk mendoj se te Vllaznia duhet të shqetësohen për këtë ngushtim të distancës me ndjekëset, por duhet t’i karikojë më shumë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Të mos harrojmë se kjo skuadër është krijuar me objektivin për të kapur zonën e Kupave të Europës, por gjatë rrugës këto objektiva ndryshuan dhe tashmë synohet titulli kampion.

Tashmë Vllaznia do të bëjë më shumë kujdes dhe për këtë arsye, që ndaj Apolonisë do të fillojë kthesën, për të bërë të harrohet edhe ajo humbja me Laçin.

Me fitoren ndaj fierakëve pastaj skuadra do të kthehet në normalitetin e saj dhe padyshim që trajneri Brdariç duhet të bëjë shumë kujdes për të mos i lënë lojtarët të kalojnë në eufori siç mund të ketë ndodhur në ndonjë rast më parë”- është shprehur ai./SHKODRA-SPORT.COM/