Thursday, January 29, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREIlir Kepa: Martini e ka vendosur Vllazninë në shinat e suksesit

Ilir Kepa: Martini e ka vendosur Vllazninë në shinat e suksesit

Nga Endri ÇINARI

Ilir Kepa një nga futbollistët e talentuar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar në vitet 1980-90 ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Ish-fantazisti i Vllaznisë është ndalur veçanërisht tek performanca e shkodranëve në këtë periudhë. Edhe pse prej vitesh larg qytetit të tij, ku jeton në Belgjikë, Kepa nuk i harron kurrë kuqeblutë. Në fjalët e tij ai vlerëson performancat që po zhvillon skuadra e Martinit, por që nuk ndalen me kaq. Pasi me pak fat ku mund të jetë viti i Vllaznisë për të rikthyer titullin në Shkodër. Po ashtu 59-vjeçari ndalet edhe tek ndeshja e radhës në kampionat kundër Teutës, teksa ka edhe një thirrje për tifozët shkodranë.

Kepa, nga larg, por gjithmonë afër Vllaznisë, si duken kuqeblutë në syrin tuaj tashmë?

Vllaznia e pjesës së dytë të sezonit ka rigjetur formën e saj më të mirë. Ku në 6-7 javët e para të kampionatit ishte ekipi për t’u admiruar nga të gjithë dhe bindi me futbollin që dhuroi. Ku madje edhe kundërshtarët e kishin “frikë” nga mënyra e lojës që prodhoi, duke qenë të pamposhtur e duke pasur një qarkullim topi të mahnitshëm. Tashmë ekipi më duket se sërish po shkon në ato nivele dhe kjo më gëzon pa masë, ku tashmë duhet bërë e pamundura që ky ritëm të mos bie më.

Janë kuqeblutë skuadra që duhet mposhtur në Superiore?

Po, absolutisht që Vllaznia është ekipi për t’u mposhtur, jo vetëm për formën që po kalon apo kryesimin e kampionatit, por edhe vetë futbollistët cilësorë që ka në përbërje. Kundërshtarët në qoftë se munden duhet të mposhtin kuqeblutë, ndryshe ata do ecin drejt titullit kampion me performanca shumë dinjitoze. Dhe në opinionin tim me një nivel loje të shfaqur më të lartë se rivalët e saj deri në këto momente të sezonit.

Si mund të vijohet në këtë rrugë pozitive deri në fundin e edicionit?

E vetmja mënyrë për të ecur kështu është që ekipi të jetë stabël dhe mos ketë më oshilacione. Pra, të mos shfaqë luhatje dhe qëndrojë fort për 90 minuta, jo si në fazën e dytë të kampionatit. Ku skuadra pësonte humbje të ekuilibrit në fushë në 30 minutat e fundit të lojës, që ndikuan më pas edhe në rezultate. Shpresoj të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga ajo situatë e po ashtu që tashmë ekipi të ketë rikuperuar 100% formën fizike.

Kush janë ata futbollistë që kanë bërë diferencën deri në këto çaste?

Shiko, futbolli është një sport kolektiv dhe në këtë mënyrë kur skuadra ecën mirë, gjithë kanë dhënë performancat e duhura. Por, nëse duhet të spikas ndonjë element te Vllaznia do të thosha Kallaku, Jago dhe Balaj në mendimin tim. Pasi janë futbollistë që po gëzojnë formë të shkëlqyer dhe dinë të zgjidhin edhe situata të komplikuara. Po ashtu do doja të shihja në nivelin e fillim sezonit edhe Muratajn, një futbollist për të cilin kam shumë simpati. Por, dëmtimi duket se e penalizoi, megjithëse ndeshjet e fundit duket se edhe ai po futet në ritmin e duhur dhe mendoj se do jetë i rëndësishëm për javët në vijim.

Sa besoni që ky mund të jetë sezoni i duhur për të kthyer titullin kampion në Shkodër?

Kam shumë besim e dëshirë që Vllaznia të jetë kampione këtë vit. Ndoshta ka ardhur momenti i duhur që titulli të kthehet në Shkodër e këtë e shoh shumë të mundur. Megjithatë shumë do varet edhe nga fati, ku uroj që ekipi të mos ketë të dëmtuar dhe performancat pozitive të ndjekin njëra-tjetrën në fushën e lojës.

Një koment për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Teutës dhe trajnerin Martini?

Nuk e di pse kam një bindje të brendshme që Vllaznia do triumfojë në Durrës përballë Teutës. Por, do kisha një këshillë për futbollistët, të mos provokojnë kundërshtarin brenda zonë pasi arbitrat nuk do hezitojnë të vërshëllejnë për penallti kundër Vllaznisë. Megjithëse them se tek skuadra i dinë mirë të gjitha dhe masat do merren siç duhet. Sa i përket Edit (Martini), do i uroj suksese bashkë me pjesën tjetër të stafit pasi tashmë e kanë vënë ekipin në “shina”. Dhe unë them se vetëm me shkodranë dhe ata që e njohin mirë klubin, Vllaznia mund të shkojë drejt sukseseve.

Po një thirrje ndoshta për tifozët?

Tifozët shkodranë nuk kanë edhe aq shumë nevojë për thirrje, pasi janë gjithmonë afër ekipit. Por, do thosha nga ana ime të jenë sa më të shumtë nëpër stadiume ku luan Vllaznia. Duke nisur që nga ky duel i radhës në Durrës, pasi skuadra e meriton për performancat e mira që ka shfaqur. E po ashtu me ta në krah unë e di se Vllaznia është akoma më e fortë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments