Saturday, January 10, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREIN MEMORIAM/ ISMET BELLOVA, MIK I VLLAZNISË DHE I SHKODRANËVE

IN MEMORIAM/ ISMET BELLOVA, MIK I VLLAZNISË DHE I SHKODRANËVE

Nga Namik MEHMETI

Lajmi i vdekjes së mikut dhe kolegut të njohur nga të gjitha anët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Diasporës Shqiptare, Ismet Bellova – ikonë e Radio Tiranës si komentator sportiv dhe legjendë e gazetarisë sportive në “Sporti Popullor” – më trishtoi thellë.

Profesor Ismetin, pasardhësin e denjë të themeluesit të radiokronikës shqiptare, profesor Anton Mazrekut, pata fatin ta njoh që në moshën 18-vjeçare. Njohje fizikisht, pasi emri i tij kishte hyrë prej kohësh në shtëpitë e shqiptarëve, pa pasur nevojë për prezantim.

Ai, me zërin e tij sa të ëmbël aq edhe kumbues, i veçantë nga radiokronistët kolegë, i dha radiokronikës një art më vete. Frymëzoi brezin e ri të radiokronistëve jo vetëm për zërin e tij klasik, por edhe për kompetencën profesionale si gazetar, për vite të tëra në gazetën “Sporti Shqiptar”.

Shkodra dhe Vllaznia, jo vetëm futbollistët, por e gjithë armata sportive e qytetit verior, për prof. Ismetin ishin një pikë e dobët e tij. Siç shprehej shpesh në biseda: këta dy emra më frymëzojnë për historinë që mbart sporti shkodran, por edhe për mikpritjen dhe respektin, pa harruar humorin që të bënte të ndiheshe me zemër shkodran.

Nuk ishte rast i veçantë, por i përsëritur, që pas transmetimit të një ndeshjeje në Shkodër, ai të rrethohej nga kolegët shkodranë Rifati, Ymeri, Gaci, por edhe nga shkrimtarë e artistë, të cilët e ftonin në Kafen e Madhe, ish-Turizmin e Vjetër apo Turizmin Rozafa, për një kafe e pse jo edhe një teke raki.

Dhe kur ambienti merrte pak “flakë”, nuk i shmangej as shoqërimit të shokëve në këngët popullore shkodrane. Di të them se për të gjithë shkodranët, kudo që hynte e dilte, ai ishte i mirëpritur edhe pa pasur ftesë.

Në aktivitetet që organizoheshin për të përkujtuar ngjarje sportive, jo vetëm në rang kombëtar por edhe lokal në Shkodër, nuk mungonte prania e prof. Ismetit, i cili, si njohës i thellë i të gjitha sporteve, me përkushtim profesional dhe objektivitet jepte vlerësimet e vërteta të sportit shkodran.

Shoqata Publicistike Sportive “Anton Mazreku” në Shkodër e kishte anëtar nderi; gazeta e parë sportive “Vllaznimi Sportiv” në Shkodër, në fillimet e demokracisë, përgëzimet e para i mori nga prof. Ismeti; Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj” pranonte me kënaqësi kumtesat e Bellovës për historinë dhe sukseset e sportit shkodran në rang kombëtar e ndërkombëtar, krahas gazetarëve të shquar Besnik Dizdari, Ahmet Shqarri, Rifat Uruçi, Gasper Marku, Gjergj Kola etj.

Me ndarjen nga jeta të prof. Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare, radiokronika sportive, familja, shokët dhe miqtë e tij humbën një aset të çmuar, që do të mbetet i paharruar sa herë linja nga një ndeshje në tjetrën kalonte përmes zërit të tij karakteristik – një dhuratë e çmuar për emisionet e Radio Tiranës.

Ngushëllime familjes Bellova! Të qoftë i lehtë dheu, mik i paharruar Ismet Bellova!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments