Merkato tashmë është fjala kryesore për shumë kënd në botën e futbollit në këto muaj. Lëvizjet e futbollistëve nga një ekip në tjetrin zënë pjesën më të madhe të lajmeve sportive. Përjashtim nga kjo “vorbull” nuk bëjnë as futbollistët shkodranë, e një ndër ta është edhe Belajdi Pusi.

Sulmuesi shkodran që është pjesë e Skënderbeut duket se do vazhdojë sërish me korçarët. Pavarësisht se bardhekuqtë janë rrëzuar tashmë në Kategorinë e Parë duket se kontrata e mban “peng” 24-vjeçarin.

Pavarësisht se në drejtim të tij siç mëson “Shkodra Sport” ka pasur interesim nga klube në Shqipëri, por edhe Kosovë, Pusi vështirë se mund të lëshohet nga “ujqërit e dëborës”.

Kontrata aktuale e sulmuesit parashikon që ai do jetë të paktën edhe një gjysmë viti pjesë e korçarëve. Pra deri në janarin e vitit 2023, ku më pas ish-futbollisti i Vllaznisë do jetë lojtar i lirë. Skënderbeu ka si qëllim që të rikthehet brenda 1 sezoni në Superligë. Dhe për këtë arsye, korçarët nuk po largojnë asnjë prej lojtarëve që janë nën kontratë.

Kjo për të përfituar jo vetëm sportivisht nga ata, por edhe ekonomikisht në rast se në drejtim të lojtarëve kryesorë do ketë oferta interesante.

Endri ÇINARI