Simone Insagi më në fund do të bëjë të qartë të ardhmen e tij dhe t’u japë fund spekulimeve që e shohin atë pranë klubeve të tjera me emër në Serinë A.

Sipas medieve italiane, pavarësisht një sezoni që nuk duket se do të përfundojë me sigurimin e Ligës së Kampioneve, trajneri ka merituar plotësisht rinovimin te Lacio dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij klubi.

Përtej Adriatikut bëhet e ditur se akordi është gjetur prej kohësh dhe brenda kësaj jave, Inzagi do të firmosë marrëveshjen e re, që e sheh atë të lidhet me klubin kryeqytetas për tre vitet e ardhshme. Lotito dhe Tare i kanë bërë një ofertë që nuk mund ta refuzonte, me 2,5 milionë euro në vit dhe me bonuse në varësi të arritjeve në kampionat.

Kështu, nuk do të ketë më asnjë mëdyshje rreth tij, duke larguar përfundimisht zërat për një kalim te Juventusi apo Napoli, dy skuadra që po kërkojnë trajnerë për të ardhmen dhe kanë shfaqur interes të vazhdueshëm për strategun i cili arriti të kthente Lacion mes skuadrave më të forta në Serinë A. /vipsport/