Ditën e djeshme u zyrtarizuan disa ndryshime tek akademia Vllaznia. Kështu lëvizjet e trajnerëve kanë qenë të shumta dhe një ndër to është ajo e Alsid Tafilit. Ish-mefushori i Vllaznisë do drejtojë ekipin u-16 të kuqebluve. Për”Shkodra Sport” ai flet i emocionuar për këtë aventurë të re në karrierën e tij, ku kërkon të japë më të mirën.
-Alsid si fillim urime dhe suksese në detyrën e re, sa i emocionuar jeni?
Faleminderit për urimin dhe interesimin. Gjithmonë në çdo detyrë ose çdo sfidë njeriu ka emocione. Por për mua janë emocione pozitive pasi është një detyrë ku duhet të përkushtohem për ekipin dhe po ashtu veten time.
-Eksperienca e parë si trajner, si e mendon?
Të them të drejtën gjithmonë kam pasur dëshirën të angazhohem si trajner. Sepse pasioni për këtë sport na bën që të kemi ambicie edhe që të shikojmë të arrijmë disa objektiva që çdo njeri duhet të ketë në çdo profesion. Unë kam synimet e mija dhe shpresoj ti arrij.
-Do drejtosh Vllazninë u-16, besoj se përgjegjësia është e madhe kur drejton në akademinë kuqeblu apo jo?
Normal që përgjegjësia është e lartë sepse jemi një akademi që kërkon suksese si ekip. Por edhe si individë, kjo për të prodhuar sa më shumë lojtar që mund të shërbejnë në ekipin e parë.
-Cili mund të jetë një objektiv për skuadrën dhe i juaji personal?
Objektivi është që kur të vijë fundi i sezonit, ekipi të ketë pasur sukses dhe futbollistët të kujtojnë një vit pozitiv. Ku kanë kaluar mirë dhe kanë pasur rritje performance dhe që janë gati për hapa më të mëdha.
Intervistoi: Endri ÇINARI