Një nga lojtarët më me të ardhme tek Vllaznia U19 është padyshim sulmuesi Ardit Nikaj. 18 vjeçari po kalon momente të mira me kuqeblutë dhe si rrjedhojë herëpashere thirret edhe në ekipin e parë dhe po ashtu tashmë është bërë edhe pjesë e kombëtares U19.

Ai punon fort në stërvitje dhe e ka të qartë se për t’u rritur si futbollist, duhet shumë punë dhe prandaj është i përkushtuar maksimalisht në këtë drejtim.

Arditi ndërkohë ka pranuar me kënaqësi të intervistohet për “Shkodra Sport” nga gazetarja Fabiola Caka teksa ka folur për ecurinë e deritanishme të tij dhe po ashtu edhe për planet për të ardhmen.

– Ardit, jeni gjithnjë titullar thuajse në shumicën e ndeshjeve, si ndiheni?

-E gjitha kjo vjen si pasojë e një pune të mirë të bërë në grup. Duke pasur përkushtimin, përqendrimin e duhur në stërvitje dhe duke punuar intensivisht, vijnë edhe rezultatet dhe paraqitjet e mira. Normalisht për këtë jam shumë i lumtur pasi ndiej rritje profesionale, gjë që e kam kërkuar që në fillime.

– Gjithashtu jeni protagonist i shumë golave të shënuar, kujt ia dedikoni ato?

Golat e mi ia dedikoj familjes pasi ajo ka qenë mbështetja e ime e parë, gjithashtu të gjithë atyre që kanë pasur dhe kanë besim tek unë.

– Çfarë është Vllaznia per ju?

-E vlerësoj shumë këtë klub. Është vendi që më ka formuar dhe zhvilluar cilësitë e mia. Kam privilegjin të vesh fanellën e Vllaznisë dhe shpresoj që edhe në vazhdimësi të paraqesim rezultate të mira në mënyrë që të kemi arritje sa më të larta.

Cilat janë raportet tuaja me stafin dhe ekipin?

-E përmenda edhe më perpara që harmonia dhe fryma e grupit e ndihmon dhe e rrit skuadrën. Raportet kanë qenë që në fillime shumë të mira dhe vazhdojnë akoma si me stafin ashtu edhe me pjesën tjetër të ekipit.

– Çfarë ndjesie është të veshësh fanellën e kombëtares?

-Mendoj se ëndrra e cdo sportisti është të përfaqesojë vendin e tij. Kjo ishte një nga të miat e cila u bë realitet. E vlerësoj dhe e them me plot bindjen se nuk ka krenari më të madhe sesa të veshësh atë fanellë, me anë të së cilës përjetova emocionet më të veçanta.

– A keni arritur të jeni aty ku dëshironi apo keni akoma për të arritur?

-Absolutisht që nuk kam arritur akoma objektivat e mia. Për t’i realizuar ato duhet akoma shumë punë. Por mendoj se jam në hapat dhe rrugën e duhur dhe se me përkushtimin e duhur dhe falë pasionit që kam për futbollin, do arrij të realizoj edhe qëllimet që i kam vendosur vetes.
Intervistoi: Fabiola CAKA