Pas Studentit, Erzenit, Partizanit, Elbasanit dhe Tiranës, sot ka qenë rradha e Teutës për të dalë e mundur përballë Vllaznisë. Volejbollistët shkodranë nuk e kanë patur të vështirë të sigurojnë kësisoj fitoren e tyre të gjashtë ndaj një kundërshtari jo të fortë.

Para ndeshjes te dy ekipet, arbitrat si dhe te pranishmit ne pallatin e sportit, kane mbajtur nje minute heshtje ne nderim te ish- volejbollistit te Vllaznise se viteve ’60-’70 Viktor Jubani, te ndare nga jeta pak dite me pare.

Durrsakët nuk kanë mundur dot të rezistojnë dhe i gjithë takimi i luajtur në “Qazim Dervishi” nuk ka zgjatur më shumë se 60 minuta. Kuqeblutë i kanë fituar të tre setet me diferencë pikësh, pikërisht 25-14, 25-18 dhe 25-13.

Njëkohësisht trajneri Kraja ka patur mundësinë që në këtë ndeshje të aktivizojë edhe disa lojtarë të rinj. Me fitoren e sotme, e gjashtë rradhazi në po kaq ndeshje të luajtura, Vllaznia kryeson renditjen e kampionatit.

Objektivi i saj padyshim që do të jetë për ta mbyllur fazën e parë me të gjitha fitore dhe për këtë arsye, do të kërkojë suksesin edhe në dy ndeshjet e mbetura, ato ndaj Farkës dhe Skënderbeut.
© shkodrasport.com