Shkruar nga Engjëll GJOLAJ
Pas një pauze njëvjeçare Aurel Locaj është rikthyer të punojë sërish pranë ekipeve kombëtare të moshave, detyrë që e ka bërë edhe më përpara. Ish- përgatitësi atletik i Vllaznisë do të jetë pjesë e stafit të kombëtares U17 e ka marrë me shumë dëshirë këtë rikthim dhe një gjë të tillë e shpreh edhe në intervistën e dhënë për Gazeta “Shkodra Sport” të cilën mund ta ndiqni më poshtë:
Pas një pauze pothuajse 1-vjeçare, riktheheni në Kombëtaren U-17 si përgatitës atletik. Fillimisht, urime për këtë rikthim! Si ndiheni?
Dua ta nis me një falenderim ndaj jush! Është një ndjesi e papërshkrueshme. Rikthimi im në Kombëtaren U-16 dhe U-17 është një përgjegjësi e madhe, por edhe një krenari që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë i gatshëm të jap maksimumin për fanellën kuqezi. Dua të falënderoj Përgjegjësin e Performancës Iris Selimi, Drejtorin Fulvio Pea dhe trajnerin Armand Dama për besimin dhe mundësinë.
Në Kombëtaren U-21 sot ka disa lojtarë që ju i keni rritur dhe stërvitur që të vegjël. A mund të ndani disa kujtime më të detajuara për secilin?
Me shumë kënaqësi, sepse secili prej tyre ka një histori që më ka mbetur në zemër.
Po e nis nga i pari, Erald Maksuti. E kam hasur për herë të parë në një turne në Itali me Brian’s U-11. Ishte një djalë shumë i vogël që erdhi pa shumë zhurmë, pa bujë, por që në momentet e para të nxemjes më tërhoqi vëmendjen. Kishte një mënyrë të lëvizuri dhe një vetëbesim që nuk e sheh shpesh në atë moshë. Edhe pse nuk e njihja fare, ndjeva diçka që më shtyu ta besoja. Vendosa ta fus në formacion (edhe pse te moshat pak diferencë ka kush e nis nga fillimi ), duke marrë gjithë përgjegjësinë mbi vete pasi Drejtori sportiv me tha nuk mundesh pasi nuk e njeh. Por unë insistova dhe ai më shpërbleu menjëherë: shënoi 2 gola me një qetësi të jashtëzakonshme për një fëmijë. Gjithashtu ishte një moment i bukur kur u detyrua të futej në portë 5 minutat e fundit sepse nuk kishim portier tjetër dhe ai që kishim u dëmtua lehtë në kokë. Në atë ndeshje ku rezultati ishte 3-2 për ne, ai priti një penallti vendimtare. Me ka mbetur ne mëndje festimi i tij kur priti penllatinë, sikur të kishte fituar Championsin. Ishte një moment që tregoi jo vetëm talentin, por edhe karakterin e tij. Në fund të turneut u shpall lojtari më i mirë dhe për mua, aty filloi historia e tij e vërtetë.
Rrok Toma. Rroku është historia e sakrificës së pastër. Ai nuk kishte kushtet më të mira, por kishte një dëshirë të jashtëzakonshme për të ecur përpara. Pas çdo stërvitjeje, priste ndoshta edhe dy orë në rrugë për të gjetur një makinë që ta çonte aty ku jetonte, në Kakarriq. Shpesh nuk e merrte askush, sepse ishte i vogël, dhe më është dashur disa herë të rrija me të, të kujdesesha dhe të mundohesha ta ndihmoja të gjente zgjidhje.
Këto janë gjëra që nuk harrohen. Në moshë te vogel ai shkoi në Itali por nuk i harroi kurrë rrënjët. Sa herë kthehej, vinte të stërvitej me mua me të njëjtin përkushtim si dikur. Në një moment shumë të rëndësishëm me Kombëtaren U-19, e thirra në dhomën time dhe i kujtova të gjitha ato sakrifica që kishte bërë ai dhe familja e tij në Shqipëri e gjithashtu edhe vëllai i tij në Itali që ai të arrinte në këto nivele. I thashë se, nëse i harron, atëherë humbet veten si lojtar dhe si njeri. Në ndeshjen e dytë kundër Kosovës, ai shënoi një gol spektakolar, një gol që nuk ishte vetëm teknik, por emocional. Ishte si një përgjigje për gjithçka që kishte kaluar.
Aurel Marku. Aureli ka qenë gjithmonë shembull disipline dhe korrektësie. Një lojtar pa fjalë, që dëgjonte, punonte dhe nuk ankohej kurrë. Fillimisht luante në mesfushë, por unë e pashë që kishte potencial për të qenë një mbrojtës qendror shumë i fortë. Ia sugjerova ndryshimin dhe ai e pranoi menjëherë, pa ego dhe me shumë respekt. Atë periudhë ne ishim dy akademi ne Lezhë që edhe pse me emra përfaqësimi të ndryshëm, bashkupunonim dhe sterviteshim në të njëjtat terrene sportive.
Një nga momentet më të sikletshme ndoshta për të, ishte kur akademitë u ndanë. Ai erdhi tek unë i prekur, madje duke qarë, dhe më tha që donte të hiqte dorë nga futbolli sepse babai i tij i kishte thënë të kalonte te akademia tjetër. Ishte një moment shumë emocional. I thashë: “Mos u dorëzo. Shko dhe provo veten. Trego kush je.” Po shkon në një akademi shumë të fortë dhe që do të mbështesin ndoshta dhe më shumë se ne. Dhe ai e bëri. Sot, është aty ku është sepse besoi, punoi fort dhe realisht e gjeti atë mbështetje që unë besoja që do ja jepnin përfaqësuesit e akademisë konkurente le të themi. Kjo është një histori që tregon se ndonjëherë ndryshimet e vështira të çojnë drejt gjërave më të mira dhe rrugës së duhur.
Olsi Myrta. Olsi është një histori që tregon se talenti mund të dalë nga çdo vend dhe në çdo moment. Kur erdhi te Akademia Brian’s ishte 13 vjeç dhe nuk kishte eksperiencë me ekip. Por kishte diçka ndryshe: shpejtësi, forcë, instikt goli dhe dëshirë. Trajneri i ekipit u-13 ( kolegu im Ardit Nikaj ) kishte dilema nëse duhej ta aktivizonte me ekipin e parë pasi sapo kishte ardhur. Patëm një bisedë të gjatë bashkë unë i sugjerova që nëse një lojtar mendon se e meriton, nuk ka rëndësi sa kohë ka që është në ekip apo nëse të gjykojnë. Bëj atë që vlerson të drejtë dhe ashtu veproi. Pas një viti, vendosa ta marr në ekipin U-17 edhe pse ishte më i vogël në moshë. Ishte një vendim që shumë e vunë në dyshim. Por Olsi e tregoi veten në mënyrën më të mirë të mundshme. Jo vetëm që luajti çdo ndeshje, por ishte vendimtar me 11 apo 12 gola, 7-8 asistime dhe një shpirt gare të jashtëzakonshëm. Ai sezon ishte prova që kur beson dhe punon, mund të thyesh çdo paragjykim.
Aurel, a ke dhe një mesazh për të rinjtë?
U uroj shumë suksese të gjithë djemve dhe ndihem krenar për secilin prej tyre që kam stervitur. Mesazhi im për të rinjtë është: mos u dorëzoni kurrë, besoni te vetja dhe pranoni sakrificën si pjesë të rrugëtimit. Futbolli nuk është i lehtë, por shpërblen ata që punojnë fort dhe nuk ndalen përpara vështirësive.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


