Dritmir Beci është një nga lojtarët më të spikatur të Erzenit në sezonin aktual. Qendërmbrojtësi ka bërë paraqitje të mira për shijakasit, duke shënuar edhe dy gola në Kategorinë e Parë. Shkodrani është nën kontratë me ekipin e tij dhe nuk e mendon largimin.

Ai shfaqet i kënaqur me sezonin e tij të parë te Erzeni, por e pranon se duhet akoma më shumë punë për t’u rritur edhe më shumë. Në një intervistë për “Shkodra Sport” thotë se, vitin e ardhshëm në Superiore pret një Erzen konkurrues dhe me ambicie të mëdha.

“Jam shumë i kënaqur me këtë sezon. Kemi bërë një punë të mirë. Po presim të mbyllim edhe këto 3 javë dhe të arrijmë objektivin.

Ne kemi një grup të mirë me lojtarë të mirë. Eshtë herët për të folur për Erzenin e sezonit të ri dhe përforcimet. Duhet të mbyllim njëherë objektivin që kemi, pastaj ka kohë për përforcime.

Kemi edhe tre ndeshje dhe na duhen edhe dy fitore, për të mbyllur objektivin Superiore. Jemi të përqëndruar për t’i mbyllur me sukses.

Sigurisht, unë jam nën kontratë me Erzenin dhe këtu ndihem shumë mirë. Nuk kam asnjë arsye pse të largohem. Shpresoj që në sezonin e ri të jemi më konkurrues dhe të shohim përpara.

Të luash kundër Vllaznisë? Normal për mua, është emocion të luaj kundër ekipit, ku jam rritur dhe formuar si lojtar. Eshtë kënaqësi të luaj përballë publikut shkodran.

Ecuria e Vllaznisë? Sigurisht, e kam ndjekur dhe kisha dëshirë të konkurronte deri në fund për titull kampion. Më vjen keq, por duhet të ishin më lart në renditje”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Erzenit, Dritmir Beci.
Maringlen ZHIVANI