Atletik Klub është një nga akademitë e futbollit që po vepron prej disa vitesh në qytetin e Shkodrës. Në këto sezone, ata kanë marrë suksese të shumta, teksa së fundmi arritën mbijetesën me ekipin e U-14 në një kampionat mjaft të fortë, pikërisht në Kategorinë e Parë të futbollit të kësaj grupmoshe.

Për një pasqyrim të të gjithë këtij sezoni, në një intervistë për “Shkodra Sport” ka folur trajneri i këtij ekipi, Eder Zmijani. Tekniku i U-14 tek kjo Akademi tregoi për objektivat e arritur, punën që u bë tek skuadra këtë sezon dhe eksperiencën e tij si trajner për edicionin e ardhshëm.

Në intervistën për “Shkodra Sport”, Zmijani u shpreh se sezoni i sapombyllur ishte mjaft i vështirë për ekipin e tij, ndërsa theksoi se gjithsesi është mjaft i kënaqur që u arrit objektivi dhe synimi i vendosur që nga fillimi i edicionit. Megjithatë për më tepër, më poshtë mund të lexoni edhe intervistën e tij të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.


-Zmijani, si shkoi ky sezon për ekipin tuaj të Atletik Klub U-14, i kënaqur me mbylljen e tij?

Sezoni që sapo mbyllëm ishte ndër sezonet më të vështira. Normalisht, jam shumë i kënaqur që e mbyllëm në vendin e tetë, duke siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, objektiv të cilin e kishim që në fillim të sezonit, ngaqë për ne ishte risi marrja pjesë në një kampionat të tillë. Sezonin e nisëm shumë keq, pasi e nisëm me shumë dëmtime dhe mbyllëm fazën e parë në vendin e parafundit. Ajo që më gëzoi ishte përgjigjia e ekipit në fazën e dytë, ku falë edhe rikthimit të të dëmtuarve, ekipi u përgjigj në mënyrën e duhur, duke marrë shtatë fitore, një barazim dhe tre humbje.

-Tashmë, këtë sezon formati i kampionatit kishte ndryshuar disi, sa ndikoi kjo tek ju?

Normalisht që, ndikoi shumë, pasi shumë ndeshje në fazën e parë i kemi humbur si shkak i eksperiencës dhe për fëmijët ishte diçka e re, pasi nuk ishin mësuar me këtë sistem të kampionatit, pasi vitet e fundit Akademia jonë ka marrë pjesë me të gjitha ekipet në Ligën Amatore në Shkodër.


-Zmijani vetë si ndihet që është pjesë e kësaj Akademie prej disa vitesh tashmë?

Në fakt, ndihem jashtëzakonisht shumë mirë. Kemi pasur gjithmonë mbështetjen e profesor Elis Legatës dhe presidentit Elton Bungaja, i cili ka qenë gjithmonë i gatshëm për të na ndihmuar me të gjitha mënyrat, edhe pse është larg vendit. Jam shumë i kënaqur me ecurinë që ka pasur Akademia jonë, pasi nga viti në vit kemi dalë kampionë në Ligën Amatore në Shkodër me të gjitha moshat. Gjëja që më pëlqen më shumë është se gjithë stafi dhe drejtuesit nuk mjaftohen vetëm me titujt kampion, por prioriteti kryesor i kësaj Akademie është rritja e cilësisë të futbollit te fëmijët dhe edukimi i tyre. Duhet të falënderoj edhe gjithë prindërit, pasi na kanë besuar fëmijët dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjithë stafin në të gjitha momentet.


-Cili do jetë objektivi i juaj si trajner i skuadrës U-14 për të ardhmen?

Objektivi për vitin tjetër normal nuk do të jetë ky i sivjetshmi, pasi e dimë si funksionon si kampionat dhe do kemi objektiva të tjerë. Kështu, përveç moshës 2010 që do të jetë pjesë e U-14, do t’i japim mundësi edhe moshës 2011 për të marrë minuta në kampionat që t’i kemi për vitin e ardhshëm. Në fakt, është shumë e rëndësishme që të gjithë fëmijët të marrin minuta, pasi vetëm kështu mund të rriten.

-Do kemi talente nga ky sezon të dalë nga Atletik, siç i kemi pasur në këto sezonet e fundit?

Unë them se po. Kemi jashtëzakonisht fëmijë të talentuar në të gjitha moshat. Shumë prej tyre janë edhe në Kombëtaren rajonale të Shkodrës dhe në Kombëtaren e madhe U-13 që është formuar këtë vit. Kemi një futbollist si Siar Hoxhaj, i cili ka qenë i grumbulluar. Jemi akademi që jemi në rritje, pasi shumë futbollistë që janë te Akademia e Vllaznisë, kanë qenë pjesë e jona më parë.
Maringlen ZHIVANI