Saturday, February 7, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLINTERVISTA/ Erjon Salii, 19 vjeçari që po spikat në Belgjikë dhe ëndërron...

INTERVISTA/ Erjon Salii, 19 vjeçari që po spikat në Belgjikë dhe ëndërron që një ditë të veshë fanellën e kombëtares shqiptare

Shkruar nga Gjergj KOLA

Në futbollin belg po spikat nga dita në ditë një emër që me siguri shumë shpejt ka për të arritur majat. E kemi fjalën për Erjon Salii, 19 vjeçarin me origjinë nga Kumanova, por që ka lindur dhe është lindur në Belgjikë. Ai është rritur në një nga Akademitë më të mira të këtij vendi dhe aktualisht po luan i huazuar në një ekip tjetër për të marrë më shumë minuta dhe me siguri që shumë shpejt do të rikthehet në elitë. Më i fortë dhe me shumë ambicie për të ecur përpara.

Ai luan si mesfushor- sulmues, por edhe në krahë dhe disa kohë më parë iu përgjigj pozitivisht një ftese të FSHF për një grumbullim dhe ndonëse sipas tij bëri mirë, nuk mori asnjëherë ftesë për t’u grumbulluar në ndeshjet zyrtare. Gjithsesi kjo gjë nuk ia ka zbehur atij dëshirën që një ditë të veshë fanellën kuqezi dhe madje një gjë të tillë e ëndërron çdo natë dhe është i bindur se një ditë kjo ftesë do t’i vijë.

Erjoni ka dhënë një intervistë për Gazeta “Shkodra Sport” ku ka folur për karrierën e tij, formimin profesional tek njëri prej klubeve më të mira belge, mbështetjen e familjes dhe shumë gjëra të tjera. Por për më shumë lexoni intervistën e plotë të tij dhënë për gazetën tonë:

-Për ata që nuk ju njohin, kush është Erjon Salii? Ku keni lindur dhe kur keni filluar të merreni me futboll?

Quhem Erjon Salii, jam 19 vjeç. Kam lindur dhe jam rritur në Belgjikë, në një familje me origjinë nga Kumanova. Futbollin e kam nisur në moshën 5-vjeçare dhe që prej asaj kohe ai është bërë pjesë e përditshmërisë sime. Që i vogël kam kaluar orë të tëra në fusha, duke luajtur, ëndërruar dhe duke e parë veten në nivelet më të larta. Futbolli për mua ka qenë gjithmonë më shumë se një pasion; është një disiplinë e përditshme që kërkon punë, sakrifica dhe ambicie. Angazhimi dhe përkushtimi im shkojnë përtej stërvitjeve me klubin, sepse e di që niveli i lartë ndërtohet edhe jashtë fushës.

-Erjon, jeni formuar tek Union SG. Si ka qenë karriera juaj e deritanishme duke qenë pjesë e një skuadre që aktualisht po luan në Champions League?

Union Saint-Gilloise ka qenë një etapë kyçe në rrugëtimin tim. Kam kaluar shumë vite aty, të cilat më kanë bërë të rritem jashtëzakonisht shumë, si në aspektin taktik ashtu edhe në atë mental. Aty kam kuptuar realisht se çfarë do të thotë profesionalizëm në jetën e përditshme të një futbollisti. Kam përjetuar momente shumë të bukura, por edhe periudhta më të vështira, të cilat më kanë forcuar karakterin. Sot, të shoh Unionin duke luajtur në Champions League më jep një ndjenjë të madhe krenarie, sepse e di që kam qenë pjesë e kësaj historie dhe e këtij mentaliteti pune dhe ambicieje.

-Por nga Union SG jeni transferuar tek Beveren U21. Cila ishte arsyeja e kësaj lëvizjeje?

Largimi nga Union Saint-Gilloise nuk ka qenë një vendim i lehtë, pasi ky klub ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin tim. Por në një moment të caktuar ndjeva nevojën ta sfidoja veten dhe të bëja një hap përpara. Doja të isha në një ambient ku mund të merrja më shumë përgjegjësi, të isha më i ekspozuar në lojë dhe të vazhdoja të afrohesha me nivelin profesional. Huazimi te Beveren, me ekipin U21, hyn plotësisht në këtë logjikë. Ishte një zgjedhje e menduar mirë, e udhëhequr nga dëshira ime për të progresuar dhe për të përgatitur hapin e ardhshëm të karrierës sime.

-Jeni i kënaqur me këtë përvojë tuajën e re?

Po, jam shumë i lumtur që jam këtu. Jam integruar shpejt me ekipin dhe jam përshtatur me kërkesat e klubit. Në fushë përpiqem të sjell njëkohësisht lojë kolektive dhe kontribute vendimtare, qoftë duke shënuar gola apo duke krijuar raste. Deri tani kam shënuar 9 gola në 13 ndeshje dhe kam dhënë 3 asistime. Kam gjithashtu mundësinë të stërvitem me ekipin e parë dhe ndonjëherë të marr pjesë në ndeshje miqësore, gjë që më lejon të përballem me kërkesat e futbollit profesional. Të gjitha këto elemente janë shumë të dobishme për progresin tim dhe për t’u afruar gjithnjë e më shumë me nivelin profesional.

-Ju luani edhe si mesfushor sulmues, por edhe si winger. Cilin preferoni më shumë?

Ndihem më rehat si mesfushor sulmues, sepse ky pozicion më lejon të marr pjesë plotësisht në ndërtimin e lojës, të marr përgjegjësi dhe të kem ndikim të drejtpërdrejtë në fazën sulmuese. Megjithatë, mbetem plotësisht i adaptueshëm edhe në rolin e anësorit dhe jam gjithmonë gati të luaj aty ku ekipi ka më shumë nevojë, gjithmonë në interes të kolektivit.

-Keni qenë një herë i ftuar në ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë. E prisni sërish një ftesë tjetër?

Kam pasur mundësinë të marr pjesë në një grumbullim të hapur me ekipet e moshave të përfaqësueses shqiptare, ku kam dhënë maksimumin tim. Në ndeshjen test kam arritur të shënoj 3 gola dhe të jap 2 asistime. Vazhdoj të punoj çdo ditë me shpresën për të marrë një tjetër ftesë. Cili lojtar nuk do të ëndërronte të përfaqësonte vendin e tij? Do të ishte një nder i jashtëzakonshëm për mua të vishja fanellën e Shqipërisë dhe e pres këtë ftesë me shumë dëshirë dhe motivim.

-Keni pasur interesim nga kombëtarja belge?

Ka pasur kontakte në të kaluarën dhe është gjithmonë një nder të merresh në konsideratë për një përfaqësuese. Në atë periudhë isha i përqendruar plotësisht në zhvillimin tim me klubin, sepse e di që puna dhe paraqitjet në fushë janë mënyra më e mirë për t’u afruar me një ftesë kombëtare.

-Cilët janë synimet tuaja për të ardhmen?

Objektivi im është të bëhem futbollist profesionist dhe një ditë të kem nderin të mbroj ngjyrat e kombetares së Shqipërisë. Përkushtohem çdo ditë për të arritur këtë dhe asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e pakushtëzuar të familjes sime dhe po ashtu agjentat e mi. Dua të ndërtoj një karrierë të fortë, ta bëj familjen krenare dhe të përfaqësoj vendin tim me dinjitet. Është pikërisht kjo pasion dhe motivim që më shtyjnë të tejkaloj veten çdo ditë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments