Ka lindur në Itali, por lidhjet me Shkodrën dhe Shqipërinë, ai dhe familja e tij i kanë të forta. Pikërisht nisur nga kjo Flavio Qershija dëshiron që në një të ardhme të afërt të boksojë për Vllazninë, por edhe kombëtaren shqiptare.
Flavio sapo i ka mbushur 19 vjeç, por duket shumë i formuar dhe padyshim që ka edhe synime ambicioze për të ardhmen. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” ai zbulon shumë gjëra në lidhje me karrierën e tij të deritanishme, por edhe synimet për të ardhmen. Për më shumë lexoni intervistën e tij:
– Flavio përshëndetje…
Përshëndetje!
– Për lexuesit tanë, a mund të na thoni se kush është boksieri Flavio Qershija?
Unë në fakt kam lindur në Itali para 19 vitesh dhe një nga pasionet e mia të mëdha u bë sporti i boksit. Kam thuajse katër vjet që merrem me këtë sport dhe ecuria ime e deritanishme ka qenë besoj e mirë, megjithatë kam shumë synime dhe ambicje për të ardhmen.
– Me cilin ekip konkurroni në Itali?
Unë jam pjesë e ekipit “Scuola Pugilato Spoleto”. Kam arritur deri tani të shpallem kampion i Umbrias dhe ecuria ime është e mirë me 13 fitore dhe 2 humbje.
– Kohët e fundit ju kemi parë në stërvitje me ekipin e Vllaznisë. Dëshironi që një ditë ta përfaqësoni atë?
Po, jam stërvitur kohët e fundit me ekipin e Vllaznisë dhe madje trajneri Zef Gjoni kishte shumë dëshirë që unë të isha pjesë e ekipit në ndeshjet e kampionatit kombëtar, por për disa arsye personale më duhet të udhëtoj drejt Italisë dhe këtë vit e kam të pamundur një gjë të tillë.
Ndoshta vitin e ardhshëm unë do të përfaqësoj Vllazninë në kampionat dhe një gjë të tillë e pres me shumë dëshirë. Unë vërtetë kam lindur në Itali, por lidhjet me Shkodrën i kam të mëdha dhe prandaj dua që një ditë ta përfaqësoj këtë qytet dhe ta ndihmoj atë të shpallet kampion ashtu siç ka bërë edhe shumë herë të tjera.
– Cilat janë synimet tuaja në boks?
Synimi im është që shumë shpejt të kaloj në boksin profesionist dhe një ditë të fitoj gjerdanin e artë të Federatës Botërore WBC.
– Sa i takon kombëtares shqiptare, e prisni ftesën e saj dhe veshjen e fanellës kuqeblu?
Kam biseduar me trajnerin Gjoni dhe mendoj se shumë shpejt do ta bëj realitet një tjetër ëndërr timen, veshjen e fanellës së kombëtares shqiptare.
Intervistoi: Gjergj KOLA