Akademia Shkodra është një ndër më të suksesshmet jo vetëm në qytetin tonë, por në mbarë Shqipërinë. Kjo akademi ka nxjerrë në vazhdimësi elementë cilësor që kanë bërë emër edhe në Europë. Por, së fundmi po bie në sy edhe trajneri i ri i kësaj akademie, Arbion Kopliku.
Ai flet për “Shkodra Sport” duke treguar fillimet e tij në rrugën e trainingut, objektivat personal, por edhe ato të ekipit.
– Kur filloi Arbioni të merret me futboll ? Cilët ishin hapat e parë?
Hapat e parë në futboll i kam hedhur që në moshën 8-vjeçare. Ajo që filloi si një argëtim veror, u shndërrua në një udhëtim më shumë se 10-vjeçar. Deri në vitin 2015 ku u detyrova të tërhiqem për të ndjekur studimet universitare në Londër për trajnim futbolli dhe analizë statistikore.
Një udhëtim tepër i veçantë në botën e futbollit për mua pasi u edukova dhe stërvita nga ata 2 persona që sot i quaj kolegë, Taip dhe Rudi Piraniqi. Ngaqë isha pjesë e Akademia Shkodra, 1 akademi që ka nxjerrë futbollistë të mëdhenj shpesh gjendesha në të njëjtat seanca stërvitore me emra si: Elseid Hysaj, Sindrit Guri, Rubin Hebaj etj.
– Tashmë trajner i Shkodra u-17. Ndoshta shumë i ri në moshë për të qenë trajner?
25 vjeç, me të vërtetë është një moshë e re. Duke pasur parasysh faktin që jam trajner i një skuadre me futbollistë 16-17 vjeçar. Por, parapëlqej të mendoj se është në avantazhin tim sepse kam më shumë kohë. (qesh).
– Ndihesh më në përgjegjësi tashmë si trajner? Ku duhet të mësosh fëmijët rreth lojës së futbollit?
Normalisht që është një përgjegjësi tepër e madhe kur një fëmijë më besohet nga prindi i tij. Por, dua të theksoj që në filozofinë e akademisë sonë është kryesore disiplina dhe formimi i individit në rradhë të parë, futbolli vjen më pas. Filozofi me të cilën jam rritur vetë dhe gjithashtu vazhdoj ta transmetoj tek lojtarët që stërviten nga unë.
– Ke ndonjë shembull apo idhull në botën e trajningut të cilit ke qejf ti ngjash?
Këtë pyetje ja bëj edhe unë shpesh vetes, por kurrë nuk kam gjetur një përgjigje. Por, dua të shtoj se jam një mbështetës i madh i Ajax ku qëllimi i tyre përveç rezultateve të skuadrës është edhe promovimi i të rinjve.
– Je pjesë e një akademie shumë të suksesshme në Shqipëri. Cili është objektivi juaj këtë sezon?
Me shumë punë dhe disiplinë, Shkodra u-17 ia doli të siguronte Kategorinë Superiore në sezonin e kaluar. Me një grup lojtarësh që nuk e kishin ndoshta eksperiencën e duhur. Ne si staf patjetër që këtë sezon kërkojmë diçka më të madhe se mbijetesa.
– Do të shohim ndoshta për pak vite Arbionin në drejtimin e një skuadre të parë?
Pasi mbarova studimet gjithmonë kam aspiruar që të jem pjesë e një ekipi të parë. Si drejtues apo edhe staf teknik. Por, të qenurit trajner moshash më ka dhënë një emocion të veçantë që dua të vazhdoj ta mbaj. Gjithsesi jam në fillimet e karrierës sime si trajner dhe të ardhmes nuk i dihet.
Intervistoi: Endri ÇINARI