Pas një jave pritje, më në fund në stadiumin “Loro Boriçi” është kryer procesi i mbjelljes së barit të ri të fushës. Një proces i cili duhej kryer që javën e kaluar, por për arsye të ndryshme është shtyrë dhe kjo ka vënë në dyshim edhe luajtjen e ndeshjes së rradhës të Vllaznisë në këtë stadium.

Për momentin çdo gjë duket mirë dhe mbjellja e barit të ri ka shkuar ashtu si duhet dhe tashmë do të jenë kushtet atmosferike ato që do të vendosin për më shumë. Procesi i mbjelljes së fushave të futbollit në Shqipëri gjatë muajit shtator është një proces i zakonshëm që kryhet çdo vit dhe kështu ndodh jo vetëm me stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, por edhe me stadiumet e Durrësit e Laçit.

Një situatë e tillë në fakt ka krijuar probleme për ekipet e këtyre qyteteve sepse Teuta e Laçi u detyruan t’i luajnë ndeshjet e tyre në stadiume të tjera. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me Vllazninë për ndeshjen e saj të rradhës, atë që do të luajë më 17 tetor ndaj Dinamos.

Kjo ndeshje është planifikuar të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, por ende nuk dihet me saktësi nëse deri atë ditë fusha do të jetë gati ajo. Gjasat janë që të mos luhet aty sepse koha në dispozicion nuk është as tre javë, megjithatë çdo gjë do të varet edhe nga kushtet atmosferike.

Në fakt, ndërhyrja në fushën e stadiumit të Shkodrës ishte planifikuar që të luhej menjëherë pas ndeshjes me Teutën, por kjo u shty sepse mjetet e nevojshme për mbjelljen e barit dhe të punimeve të tjera që duhen për këtë rast, do të vinin nga Elbasani dhe ardhja e tyre u bë me një javë vonesë.

Në këto rrethana, te Vllaznia janë me sytë nga qielli, për të shpresuar që ndeshjen me Dinamon ta luajnë në “Loro Boriçi” sepse në rast të kundërt asaj do t’i duhej të luante plot 4 ndeshje larg Shkodrës dhe kjo nuk do të ishte diçka e mirë për të./SHKODRA-SPORT.COM/