Burreli është një nga skuadrat që këtë sezon në Kategorinë e Parë ka pretendime të mëdha. Matjanët e drejtuar nga një emër i njohur i futbollit si Sajmir Patushi në dy javët e para të kampionatit ka marrë dy pikë. Për “Shkodra Sport”, një nga protagonistët e skuadrës mesfushori shkodran, Rigers Xhahysa flet për sezonin e sapo nisur, objektivat e ekipit, por edhe ata personal.
– Tashmë jeni pjesë e Burrelit në Kategorinë e Parë. Hapat e parë të një profesionisti të vërtetë mund të themi?
Po, është e vërtetë që janë hapat e parë si profesionist në futboll. Por shpresoj që të jenë edhe hapat e që do më hapin rrugën për arritje të tjera në të ardhmen.
– Kategoria e Parë është një ligë shumë e vështirë. E shikon si një trampolinë apo edhe për tu rritur si futbollist akoma më tepër?
Ka qenë dëshira ime ta provoj këtë kategori. Kjo pasi është një kategori ku djemtë e rinj marrin eksperiencën e duhur mentale, por edhe fizike. Shumë futbollistë që sot luajnë në Europë e kanë filluar nga kjo kategori, mos ta harrojmë këtë.
– Burreli sezonin e kaluar ishte një nga pretendentët për Superligë, po këtë sezon?
Dhe këtë sezon objektivat qëndrojnë të njëjtë. Jemi një ekip thuajse tërësisht i formatuar ku nga sezoni i kaluar kanë ngelur 5-6 lojtarë. Me kalimin e javëve do shihen rezultatet besoj.
– Objektivi personal i Xhahyses këtë sezon ? Ndonjë kuotë golash apo asistesh?
Këtë fillim sezoni nuk e kam filluar ashtu siç po zhvilloja përgatitjet para sezonale. Kjo pasi kam qenë i karantinuar për shkak të Covid-19. Në vijim uroj të kap formën e duhur dhe pastaj golat e asistet do të vijnë.
– Dhe së fundmi Vllaznia, ku ti u rrite si futbollist. Si ju duket këtë vit dhe si e parashikoni duelin me Partizanin?
Vllaznia këtë sezon më duket shumë më e bukur se sezonin e kaluar. Më pëlqen shumë loja që po bëjnë, ku kanë bërë edhe afrime shumë cilësore. Por e vetmja gjë që disi nuk më pëlqen aq shumë është presioni që po i bëhet nga tifozët të gjithë skuadrës. Shoh shumë komente nga njerëz të ndryshëm, që vënë në diskutim edhe trajnerin. Duhet të ketë durim. Me Partizanin do jetë patjetër një fitore e Vllaznisë.
Intervistoi: Endri ÇINARI