Pasditën e së shtunës në Fushë-Krujë, Veleçiku ka mundur Ilirinë në transfertë, me rezultatin 0-2. Duke qenë se në shtatë përballjet e fundit, koplikasit kanë siguruar shtatë fitore, trajneri i tyre, Haris Lika, shprehet shumë i kënaqur me atë që ka bërë ekipi i tij deri më tani.
Në intervistën e dhënë për “Shkodra Sport”, trajneri i Veleçikut, Lika, shfaqet i lumtur sepse ekipi i tij, pavarësisht mungesave, ka bërë mirë, me atë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës gjatë këtyre ndeshjeve. Sidoqoftë, Lika e shikon garën e fortë deri në fund për të arritur objektivin, që ata kanë.
“Jam i kënaqur me paraqitjet e ekipit në këto ndeshje, por duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse kemi ndeshje të tjera përpara. Janë edhe 4 finale për t’u luajtur.
Çdo ndeshje ka vështirësinë e vet. Ne vlerësojmë njëlloj çdo kundërshtar, pavarësisht renditjes që kanë. Thuajse gjatë gjithë kampionatit, kemi patur mungesa të rëndësishme. Ekipi është ambientuar me këtë situatë tashmë.
Personalisht, ndihem shumë mirë, pasi bashkë me djemtë, po korrim avash-avash frytet e një punë shumë intensive dhe impeniative.
Ne kemi hyrë në kampionat si pretendentë kryesorë. Qysh në ditët e para, ekipi është ndërtuar për të konkurruar në këtë kategori që është dhe puna vazhdon për ta çuar aty ku e meriton.
Për momentin, jam i fokusuar tek objektivat e këtij sezoni me Veleçikun dhe shpresoj t’ia arrijmë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Veleçikut, Haris Lika.
Maringlen ZHIVANI