Ka qëndruar vetëm një sezon në Shkodër gjatë karrierës së tij. Por ka lënë mbresa për cilësitë e tij sportive, por edhe aspketin njerëzor në qytet ku të gjithë gëzonin një respekt të jashtëzakonshëm për të. Bëhet fjalë për ish-mbrojtësin, Polizoi Arbëri. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai flet për aktivitetet e tij të tanishme, por nuk harron edhe Vllazninë dhe tifozët shkodranë.
– Ku është sot Polizoi dhe me çfarë po merret për kuriozitetin e gjithë lexuesve tanë?
Aktualisht jam rikthyer në qytetin e Beratit. Tashmë po punoj me moshat e reja në futboll së bashku me xhaxhain tim, Klodian Arbëri. Po mundohemi të transmetojmë atë çfarë kemi mësuar në vite tek brezat e rinj.
– Do të shohim ndoshta shpejt në drejtimin e një ekipi në Superligë?
Ndoshta në një të ardhme. Por tani jam i fokusuar shumë tek fëmijët ku mendoj të marr edhe unë eksperiencën e duhur që të drejtoj në Superligë në të ardhmen.
– Po skuadra e qytetit tuaj të Beratit, Tomori. Çfarë pretendimesh ka këtë sezon?
Me thënë të drejtën nuk është se jam shumë në brendësi të ekipit dhe nuk është se e di tamam situatën. Por pretendimet sipas atyre informacioneve që kam është ngjitja në Superiore.
– Flasim pak për Vllazninë. Në Shkodër dhe tek skuadra keni lënë një shije shumë pozitive. Të gjithë ju donin pavarësisht që qëndruar vetëm 1 sezon në Shkodër. Ju mungon një atmosferë e tillë?
Po, është shumë e vërtetë kjo që po thoni. Dhe realisht të them se e kam pasur shumë të vështirë largimin nga Vllaznia, një skuadër dhe qytet ku kurrë nuk e ndjeva veten jabanxhi.
– Si e shikon ndeshjen e fundjavës ku Vllaznia do ketë përballë Partizanin?
Partizani dhe Vllaznia janë dy ndër pretendentë kryesorë për titull. Çdo duel mes tyre ka qenë i bukur ndër vite, por zakonisht në fund ka qenë Vllaznia që ka dalë me pikë.
– Dhe e fundit, i shihni si pretendentë për titull kuqeblutë këtë sezon?
Duke parë merkaton që ka bërë Vllaznia, por edhe sezonin e kaluar shumë pozitiv besoj se do jenë pretendentët numër një për titull.
Intervistoi: Endri ÇINARI