Pasditën e djeshme në Shkodër është zhvilluar një aktivitet mjaft interesant në sportin e atletikës. Kështu, bëhet fjalë pikërisht për Kupën e Nderimit të Figurave dhe sivjet, kjo Kupë është organizuar në nderim të dy figurave të shquara të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare, Gëzim Mema dhe Vildan Tufi.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe të FSHA, kanë marrë pjesë atletet më të mirë të vendit, por edhe të ftuar nga Kosova.

Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti ka qenë edhe nderimi që Bashkia Shkodër i ka bërë 15 veteranëve të atletikës shkodrane, pikërisht pas propozimeve të bëra nga Shoqata e Atletikës Vllaznia. Kështu, me titullin “Mirënjohje” është nderuar edhe ish-atleti dhe ish-trajneri Gjulio Zefi.

Ky i fundit, në një prononcim për “Shkodra Sport”, u shpreh se ndihet tepër i emocionuar dhe i kënaqur për një nderim të tillë. Po ashtu, ish-atleti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Gjulio Zefi, falenderoi institucionet për nderimin që i bënë, teksa në fjalët e tij rikujtoi edhe karrierën e tij si sportist dhe si trajner.

“Ndihem i emocionuar dhe i kënaqur. Unë dua të falënderoj institucionet përkatëse pra që organizuan këtë aktivitet dhe njëkohësisht më dhanë atë mirënjohje për kontributin që unë kam dhënë në fushën e sportit të atletikës. Pas një karriere si sportist, si trajner, tashmë edhe në nivelin akademik, në të cilin ne mundohemi që të japim kontributin tonë, atë shtysën, atë stimulimin e sportistëve që të vazhdojnë të merren me sportin e atletikës.

Kohë pas kohe, ne kemi atletë edhe me emër që normalisht diplomohen tek ne në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”. Izmir Smajlaj, Franko Burraj dhe Erisa Rrasa janë ato studentë që vazhdojnë cilësinë e atleteve në Shkodër, por edhe në Shqipëri.

Me të vërtetë, ndjeva një emocion të veçantë. Katër breza të atletikës shkodrane u takuam. Më vjen mirë që jemi shumë për t’u nderuar. E them me keqardhje këtë për ata që nuk jetojnë më, por me rrespekt të veçantë për ata që nuk jetojnë dhe me rrespekt të madh për ata që janë gjallë. Unë mendoj që ne stimulojmë brezat që të vazhdojnë të merren me sportin e atletikës.

Në karrierën time sportive, kujtoj kohën e garave të mia, një garë në Elbasan në kushte tmerrësisht të vështira, tmerrësisht dimërore në prill të 1981. Një garë 400-m me pengesa nëpër baltë, ku unë dola kampion Shqipërie. Ky është një kujtim që më ka mbetur. Për sa i përket kohës si trajner, kujtoj me shumë nostalgji atë periudhë. E thashë që emocionet vazhdojnë të jenë gjithmonë të gjalla për këtë sport që është me të vërtetë Mbretëresha e Sporteve.

Unë nuk e shoh me xhelozi periudhën tonë, por e shoh me shumë optimizëm periudhën e sotme. Mua më vjen mirë që kemi arritur që në Shkodër të kemi pistën, por ama do të bëja edhe një thirrje që pse të mos ketë disa aktivitete të tilla si ky që të ngjallin edhe më tepër interesin. Shkodra ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë promotore e atletikës. Unë mendoj që edhe institucionet bashkiake dhe institucionet e ndryshme sportive duhet ta stimulojnë sa më tepër Shkodrën. Duhet të sjellin këtu ndoshta edhe aktivitete ndërkombëtare. Do të ishte shumë mirë një gjë e tillë”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, veterani i atletikës, Gjulio Zefi.
Maringlen ZHIVANI