Vllaznia dhe Tirana do të përballen këtë javë në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e javës së 30-të të Superiores. Dy skuadrat kanë rivalizuar për titull kampion këtë sezon, ndërsa së fundmi Tirana është shkëputur në krye.

Megjithatë, Vllaznia nuk është e dorëzuar për objektivat e saj. Ardhja në pankinë e Goçe Sedloskit duket se ka kthyer trendin pozitiv të rezultateve tek kuqeblutë.

Me katër pikë në dy ndeshje në pankinë, maqedonasi po mban gjallë ëndrrën për një vend në Europë përmes dy rrugëve, kampionat dhe Kupë. Kështu, trajneri Sedloski do të luajë Klasiken e parë në pankinën e Vllaznisë kundër Tiranës në kampionat dhe tre ditë më pas, do të sfidojë në gjysëmfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë ekipin e Egnatias.

Si Tirana në kampionat, ashtu edhe Egnatia në Kupë, padyshim që janë dy rivalët më të fortë të mundshëm për shkodranët, të cilët e kanë të qartë se luajnë gjithçka për gjithçka në këtë javë vendimtare. Sa i takon kampionatit, kuqeblutë e kanë detyrim fitoren edhe për faktin se e luajnë Klasiken në “Loro Boriçi”, përpara publikut të tyre.

Poashtu, një domosdoshmëri e tillë do të jetë edhe për trajnerin maqedonas Goçe Sedloski që të triumfojë në Klasike, sepse ka ardhur për objektivin Europë. Me pak fjalë, ky objektiv duhet arritur me çdo kusht dhe trajneri maqedonas Sedloski, por edhe ekipi që ai drejton do i luajnë të dyja kartat brenda javës.
Maringlen ZHIVANI