Mehdi Çoba është një nga emrat e Vllaznisë me shumë të ardhme në futbollin shkodran. 22-vjeçari ka luajtur titullar ndaj Kraiovës në ndeshjen e parë të Conference League, teksa nga këmbët e tij u “gatua” edhe goli i barazimit. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, sulmuesi shkodran flet për emocionet e ndeshjes me peshë, duke luajtur si titullar.

Çoba u shpreh se ishte një kënaqësi e madhe për të të luante si titullar përpara gjithë asaj tifozërie të mrekullueshme, ndërsa theksoi se në pjesën e dytë ndryshuan shumë gjëra falë këshillave të trajnerit Mirel Josa.Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani:


– Mehdi, luajtët ndeshjen e parë si titullar këtë sezon në turin e dytë të Conference League, si ishte për ju?

Ishte një kënaqësi shumë e madhe. U ndjeva shumë mirë midis gjithë asaj tifozërie.


– Çfarë menduat në momentin që profesor Josa ju tha që do të luani titullar në këtë ndeshje?

Kur kuptova që do luaja në formacion, u ndjeva mirë dhe mendova që duhet të jepja maksimumin që të arrinim një rezultat pozitiv.


– Çfarë nuk shkoi në ndeshjen me Kraiovën që nuk arritët të merrnit të paktën një fitore në Shkodër për t’ia bërë vetes tuaj pastaj punën më të lehtë në Rumani në ndeshjen e kthimit?

Në fillim, nuk po mundeshim që të kuptohemi në bazë të ekipit të Kraiovës dhe pastaj në pjesën e dytë, trajneri Josa na dha disa këshilla dhe u munduam që t’i bënim në fushë ato që na tha profesor Josa dhe pastaj ndryshoi gjithçka dhe besoj që na shkoi mirë në pjesën e dytë.

Me të vërtetë, Vllaznia u duk një skuadër ndryshe në pjesën e dytë nga ajo e pjesës së parë, qoftë ekipi por edhe ju personalisht, ku goli u “gatua” edhe nga këmbët tuaja, por çfarë ndryshuat më konkretisht?

Po, siç e thashë edhe më sipër, me disa këshilla të trajnerit Josa dhe me këmbënguljen e futbollistëve tonë, ndryshuam shumë dhe ndjehem shumë mirë që goli u shënua në atë mënyrë, sepse ishte një ndeshje plot emocione nga gjithë ai stadium i tejmbushur.

– Mehdi, sezonin që pritet të nisë kërkoni të jeni titullar në skuadrën e Vllaznisë?

Nuk mund të them që kërkoj të jem titullar, por dëshira është e tillë. Çdo herë do jem gati për çdo vendim të stafit dhe unë do jap maksimumin tim çdo herë.
Maringlen ZHIVANI