Pas një gjysmë viti pushim sporti i basketbollit do të rikthehet me 2 Tetor. Risi e këtij sezoni është zhvillimi i Kupës së Federatës, ku Vllaznia është eleminuar nga ky kompeticion. Për “Shkodra Sport” ka folur basketbollisti i Vllaznisë Robert Shestani, i cili shprehet optimist për ecurinë e ekipit.
Sipas tij, puna po vijon per te ndertuar nje ekip pretendent, megjithate deri ne fund ka ende shume rruge per te bere. Per me shume. lexoni intervisten e kapitenit te Vllaznise dhene per gazeten tone:
– Risia e këtij sezoni ishte Kupa e Federatës. Sa i rëndësishëm ishte ky organizim për basketbollin dhe si e keni pritur ju personalisht?
Kupa e Federatës ishte një risi e cila ka sherbyer më shumë për të shikuar se ku jane ekipet para fillimit te kampionatit. Personalisht këto ndeshje i kam parë më shumë si ndeshje miqësore, por na ndihmuan edhe ne lojtarëve per te parë se ku jemi, pra si nje test per secilin nga ne.
– Së shpejti nis edhe kampionati dhe të gjithë tifozët presin kupen e 10-te nga Vllaznia. Do e realizoni këtë sezon?
Ekipi është akoma në formim e sipër. Objektivi jonë që nga fillimi ka qënë që të dalim kampion dhe për atë po punojmë.
– Është kjo skuader e ndërtuar për titull?
Siç e thashë edhe më lart ekipi është drejt formimit. Ai deri tani po ndërthuret shumë mirë me prurjet e reja dhe me lojtarët shkodranë.
– Shestani, ju keni pasur eksperienca të shumta me skuadra të ndryshme si Kamza, Tirana, Goga Basket dhe një gjysmë sezoni vitin qe shkoj në Kosove duke qënë gjithmonë një lojtar kyc. Pse vendosët të luani sërish për Vllazninë?
Shkodra është qyteti im dhe Vllaznia do të jetë gjithmonë ekipi im i zemres sepse këtu jam rritur. Dhe dua që qytetit tim t’ia bëj këtë dhuratë, titullin e 10-të kampion.
– Ju jeni me fat sepse që i vogël ju jeni rritur me frymen e një sportisti, duke patur pranë dy basketbollistë shumë të talentuar, si babai juaj Marin Shestani apo halla juaj Xhuli Shestani. Cili ka qenë më kritik ndaj teje Dhe cila është ajo këshillë e tyre që t’i vazhdon ta zbatosh edhe tani?
Ndihem shumë me fat që jam pasardhës i familjes “Shestani”, duke shikuar edhe kontributin që ato kanë dhënë për Shkodren. Persa i përket pyetjes se kush ka qënë më kritik, patjeter që babi është ai që më kritikon me shumë dhe vazhdon ta bëjë pas çdo ndeshjeje. Kritika këto që janë kthyer si mësim për karrieren time.
– Do e shohim Robert Shestanin në të ardhmen të luajë edhe në Europë?
Këtë pjesë do ia lë kohës.
Intervistoi: Marinela MATIJA