Intervistoi: Engjëll GJOLAJ
Shaqir Xhabiri (Idrizi) ka lindur në Lezhë më 1 gusht 1955. I diplomuar në Institutin e Fizkulturës në Shkodër, ai është një nga figurat që i ka shërbyer për shumë vite futbollit lezhjan, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner.
Për 14 sezone radhazi veshi fanellën e Besëlidhjes, fillimisht si mesfushor dhe më vonë në rolin e mbrojtësit të majtë. Sot vazhdon të kontribuojë në futboll me përgatitje individuale të moshave, duke numëruar rreth 25 vite eksperiencë në pankinë. Ai ka pranuar të flasë për Gazeta “Shkodra Sport” teksa shprehet:
Si nisi gjithçka?
“Karrierën sportive e kam nisur në vitin 1969 me Besëlidhjen, kur isha vetëm 15 vjeç.”
Ndeshja e parë nuk harrohet…
“Sigurisht që e kujtoj. Luajtëm në Lezhë kundër Flamurtari Vlorë për Kupën e Republikës. Emocionet ishin të mëdha: para publikut tim dhe përballë lojtarëve të njohur si Mexhit Haxhiu e Sh. Zila. Ishte një moment që më ka mbetur në zemër.”
Një rekord personal për t’u vlerësuar
Xhabir thekson me krenari një fakt domethënës:
“Kam zhvilluar 14 kampionate rresht me Besëlidhjen, pa u zëvendësuar asnjëherë dhe pa marrë asnjë karton të kuq. Në fund të çdo sezoni ndihesha i rraskapitur, sepse luaja si në kampionat, ashtu edhe në kupë.”
“Kam luajtur gjithë jetën me Besëlidhjen, një ekip që e dua edhe sot po aq shumë.”
Marrëdhënia me klubin dhe tifozët
“Jam ndier shumë mirë dhe kam qenë një lojtar i dashur për publikun lezhjan.”
Shokët më cilësorë të skuadrës
Ai kujton me respekt emra si: N. Lorenci, F. Rama, G. Hasku, P. Deda, Gj. Gega, Z. Ago, Z. Qerici, B. Omuri, L. Zengla, B. Sharra (portieri), S. Balla, F. Kola etj.
Kundërshtarët që lanë gjurmë
“Ndeshja më e vështirë ka qenë ndaj Vllaznia Shkodër, kur përballesha me Çesk Ndoja. Nuk të jepte kohë për t’ia marrë topin, godiste fort, ishte shumë i shpejtë dhe trim në lojë. Një futbollist që më ka lënë mbresa të mëdha.”
Fitorja që shijoi më shumë
“Kënaqësinë më të madhe e kam ndier kundër Luftëtari Gjirokastër. Unë mbuloja hap për hap Brahon dhe ai nuk arriti të shënonte. Fituam 2–0. Në fund të ndeshjes më përqafoi – moment i paharrueshëm.”
Italia e zemrës
“E kam dashur gjithmonë Italinë, sepse ishte skuadra që kishim mundësi ta shihnim. Kam pëlqyer shumë futbollistë italianë, por në veçanti Antonio Cabrini. Sot më vjen keq për gjendjen e ekipit, por shpresa nuk humbet.”
Ai kujton me nostalgji edhe mikpritjen e Riza Reçit, i cili u krijonte mundësi të ndiqnin ndeshje në kanale të huaja.
Më të mëdhenjtë për të
“Në Shqipëri, për mua më i madhi ka qenë Panajot Pano. Një finte që më ka bërë, më la tre metra larg… e jashtëzakonshme.
Në botë, padyshim Diego Maradona.”
Kush e fiton Botërorin 2026?
“Kanë ndryshuar shumë gjëra… por unë dua Italinë!”
Mendimi për Besëlidhjen sot
“Skuadra ka rritje këtë vit. Ardhja e presidentit Fushaj dhe angazhimi i kryetarit të bashkisë, z. Pjerin Ndreu, kanë ndikuar në ngritjen e nivelit në të gjitha drejtimet. Shpresojmë të ngjitemi aty ku e meriton Besëlidhja.”


