Silvi Kastratin jemi mësuasr ta shohim prej më shumë se një dekade në ekranin e televizionit shkodran si prezantuese emisionesh apo spikere lajmesh. Por kohëve të fundit ajo ka marrë përsipër edhe drejtimin e një prej rubrikave më të dashura për të gjithë sportdashësit shkodranë, “Sport Show”.

Pavarësisht vështirësive që ka hasur, Silvi duket se ja ka dalë mbanë duke punuar me dëshirë e vullnet. Për më shumë, të ndjekim intervistën që Silvi ka dhënë për “Shkodra Sport”.

– Sa vite keni që e ushtroni profesionin e gazetarisë?

Unë kam trembëdhjetë vite që jam pjesë e ekranit të Tv1 Channel. Nuk jam shkëputur asnjë moment nga ky televizion duke u bërë kështu një shtëpi e dytë për mua e duke u ndjerë me fat që jam pjesë e kësaj familjeje të madhe që prej vitesh është ekrani i dashur i të gjithëve.

– Cilat janë programet televizive që keni drejtuar deri tani?

– E kam filluar në vitin 2007 me emisionin “Together” në bashkëpunim me Denis Krajen dhe Erlinda Doda. Për të vijuar si spikere lajmesh duke marrë kështu një tjetër rol mjaft serioz gjë që e bëj me shumë dëshirë edhe sot që flasim. Emisioni i mëngjesit “Start” ka qenë një tjetër eksperiencë për mua por duke përfshirë këtu edhe hapsirën e shumë të ftuarve në studio në emisione të ndryshme të TV1 Channel.


– Pse vendosët të drejtonit një rubrikë sportive dhe si lindi ideja e saj?

Përsa i përket emisionit “Sport Show” në TV1 Channel, ai është drejtuar prej vitesh nga ikona e gazerarisë sportive shkodrane, Gasper Marku. Por për shkak të angazhimeve të shumta që ai kishte vendosi të shkëputej nga ky emision duke më mbështetur mua dhe përzgjedhur së bashku me drejtuesit e televizionit.

Të them të drejtën nuk ka qenë e lehtë edhe për mua të zëvendësoj një figurë të tillë dhe shumë të dashur sportive por me punë dhe dëshirë për të realizuar këtë emision shpresoj që të krijoj besimin e duhur edhe për publikun shkodran që e dimë të gjithë çfarë lidhje ka ky qytet me sportin.

– A e kishit të vështirë fillimisht ta pranonit këtë prezantim?

Të vështirë? Të them të drejtën, vetëm kam menduar sikur të kisha në krah Gasper Markun në bashkëprezantim sepse do ma kishte bërë punën më të lehtë, kush ka punuar me të e di mjaft mirë seriozitetin që ai shfaq në punë por duke përfshirë këtu edhe eksperiencat e tij në të gjitha fushat e sportit.

Gjithsesi edhe unë vetëm e mora me shumë sportivitet këtë emision, duke dëgjuar me vëmendje çdo këshillë pse jo edhe vërejtje të kolegëve sepse në TV1 Channel kam pasur fatin që gjithë këto vite kam punuar me profesionistë të gazetarisë.


– Një terren sa i vështirë po aq edhe i bukur, si ndiheni ju gjatë kohës që i përkushtoheni sportit?

Mjafton që një punë ta bësh me dëshirë dhe t’i përkushtohesh me seriozitet asaj. Nuk më duket terren i vështirë sporti për ne që e mbulojmë këtë pjesë nga studioja dhe jemi disi më komod. Mjafton të marrësh informacionet e duhura dhe ta kesh me shumë qejf sportin. Unë gjithmonë mbaj mend që ulesha me gjyshin dhe babin duke preferuar të shikoja një ndeshje futbolli se sa një serial televiziv apo diçka tjetër.

– Ndër personazhet që keni pasur të ftuar, cili ka qenë më i vështiri për t’u intervistuar apo më i vështiri për t’u “komanduar” në studio?

Te personazhet në studio mund të them se kam qenë me fat tek kjo pjesë sepse jam njohur edhe me shumë personalitete të fushave të ndryshme, duke thënë me bindje të plotë se kemi mbyllur një sezon të suksesshëm të “Sport Show”.

Analistët më të mirë, sportistët të të gjitha fushave, gazetarët më të njohur të sportit, trajnerët apo edhe vetë presidentët e ekipeve kanë qenë pjesë e panelit çdo të hënë në ekranin e Tv1 channel duke i dhënë kështu një tjetër dinamikë emisionit pa harruar këtu edhe shumë lidhje direkte me skype ku edhe pandemia që kaluam ndikoi realisht, por nga zemra dua të falenderoj të gjithë të ftuarit që disa me seriozitet e disa të tjerë me batuta tipike shkodrane i kanë dhënë një tjetër ngjyrim këtij emisioni.

– Si ju duket sporti shkodran? Për kë bëni tifo?

Në momentin që mora unë drejtimin e sportit ishte pikërisht kthesa që bëri Vllaznia, loja e bukur sulmuese dhe me mjaft grint ku Shkodranët e prisnin me padurim një rikthim të tillë dhe kësaj here këtë Vllazni e kanë ndjekur të gjithë pa përjashtim duke e pasur edhe unë më të lehtë sepse ndryshe mund të flasësh për sukseset e ekipit që të do zemra duke u motivuar gjithnjë e më shumë. Tifoze me Vllazninë gjithmonë madje duke e injektuar edhe te djali im tre vje Igor që e ka me shumë dëshirë futbollin.

– A keni raportuar ndonjëherë direkt nga fusha?

Nuk kam raportuar ndonjëherë nga fusha, kam marrë emocione sportive vetëm nga studioja.

– Cila ndeshje që keni përcjellur/ndjekur ju ka ngelur në mendje?

Të gjitha ndeshjet besoj që kanë pasur të veçantat e saj. Mjafton që kemi parë një Vllazni ndryshe, urojmë edhe me një perspektivë për të ardhmen. Rikthehet një kupë pas trembëdhjetë vitesh në Shkodër dhe uroj që triumfe të tilla Vllaznia të ketë gjithmonë.
Intervistoi: Dajana GEGAJ