Ndoshta tani më pak, por gjithmonë El Clasico ka qenë një minë me sahat. Do të kthehemi në 29 nëntor të vitit 2010. Shqipëria festonte Ditën e Çlirimit, por jo vetëm kaq sepse luhej edhe ndeshja më e madhe e globit Barcelona-Real Madrid. Ishte ndeshje e parë si trajner i Realit në “Camp Nou” për Murinjon dhe po shkonte si mos më keq.
Kishte kaluar vetëm gjysmë ore lojë dhe tabela regjistronte 2-0 për vendasit. Madrilenët ishin të irrituar dhe Barcelona i impononte në çdo mënyrë ta humbisnin kontrollin, madje edhe vetë trajneri i Barçës në atë kohë, Pep Guardiola.
Gjyqtari akordoi një rivënie anësore për Realin, me sferën që përfundoi në duart e Pep. Ronaldo shkon ta marrë, por trajneri katalanas zgjedh ta hedhe topin në tokë dhe ta lërë “lapidar” portugezin, i cili reagon ashpër duke e shtyrë me forcë Guardiolën.
Ky moment shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Iniestës e më pas edhe të Alvesh. Teksa braziliani dhe Ronaldo debatonin me njëri-tjetrin mes tyre hyn i tërbuar Pedro Rodriges. Kur spanjolli e kritikon, Ronado shprehet: “Kush je ti?”. Pedro përgjigjet shumë thjeshtë: “Unë jam një kampion bote, po ti kush je?”. Me siguri Ronaldos i djeg akoma kjo pyetje-përgjigje. /vipsport/