Kur u mendua se do të ishte një ndeshje e lehtë për Vllazninë B, ajo ndaj Klosit ka rezultuar krejt ndryshe. Kanë qenë miqtë ata që kanë fituar me rezultatin 2’1 në ndeshjen e luajtur sot pasdite në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Vendasit e nisin mirë ndeshjen, madje shënojnë një gol me anë të Ruqit por që anullohet për pozicion jashtë loje. Më pas janë miqtë të cilët shënojnë golin e parë në minutën e 30-të me anë të Hallkajt dhe madje tre minuta më vonë do të shënonin edhe golin e dytë me anë të Pengilit. Pjesa e parë kësisoj u mbyll në shifrat 0-2 në favor të ekipit të Klosit

Në pjesën e dytë loja e kuqebluve vjen duke u rritur dhe në minutën e 60-të Smajli do të ekzekutonte golin e parë për Vllazninë B me një goditje dënimi nga një distancë e largët me portën kundërshtare.

Ky gol hapi ndeshjen dhe presioni i kuqebluve u rrit në kërkim të golit të barazimit. Në shtesë ndërkohë do kishte një pretendim të vendasve për 11-metërsh pas pengimit në mënyrë të parregullt të Ruqit brenda zonës, por arbitri vazhdoi lojën.

Një vendim që ka irrituar shkodranët, madje në shenjë proteste kapiteni Borshi është ndëshkuar edhe me kartonin e dytë të verdhë dhe më pas të kuqin.

Përfundimisht 2-1 për Klosin dhe kjo humbje padyshim që i ka prishur jo pak plane Vllaznisë B në pretendimet e saj për vendin e parë të renditjes.
© shkodrasport.com