Kampionati i Superligës po shkon drejt fundit dhe gara për titullin kampion është më e fortë se kurrë këto vitet e fundit. Ish- futbollisti por edhe ish- drejtuesi i klubit Vllaznia Kujtim Shaba është i mendimit se në çështjen e titullit po vendosin aleancat.
Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” teksa është ndalur tek ky fenomen që më së shumti po favorizon ekipin e Partizanit në garën për titull.
“Vllaznia me lojën që bën dhe me atë çfarë ka treguar, duhet të jetë kampione e këtij sezoni, por se çfarë mund të ndodhë gjatë rrugës nuk e di. Ajo duhet të ruhet nga aleancat të cilat kanë kohë që kanë nisur.
Si mund të deklarojë Safet Gjici që Partizani del kampion. Ka ikur ajo kohë kur Partizani ishte “Momument kulture, mbrohet nga shteti”. A duhet me e nxjerrë medoemos Partizanin kampion? E pamë çfarë ndodhi në ndeshjen me Kastriotin.
Erdhi në Shkodër dhe bëri gjithçka për t’i marrë barazimin Vllaznisë në Shkodër dhe një javë më vonë humbet me Partizanin në fushën e vet.
Ndërkohë këtë javë luan Partizani- Kukësi. Në Shkodër ndoshta shpresojnë që Partizani të ndalet nga Kukësi, por ta harrojnë këtë gjë. Mos u merrni me këtë punë, është e kryer puna, fiton Partizani.
Ajo duhet të fokusohet maksimalisht tek sfida e kësaj jave me Skënderbeun. Harrojeni të ketë kompromis që Vllaznia t’ia lërë ndeshjen e kampionatit dhe korçarët t’i lënë kupën. Do jenë dy sfida shumë të forta në të cilat ekipi shkodran duhet të tregojë vlerat e tij dhe të luftojë fort për ta mbyllur me sukses këtë sezon”- ka thënë Shaba.