Që nga koha kur Presidenti i Nderit të Kukësit, Safet Gjici, u largua nga drejtimi i klubit për shkak të angazhimeve në politikë, në postin e kryebashkiakut të Kukësit, situata në kampin verilindor nuk ka qenë e qetë.

Prej dy sezonesh skuadra nuk merr pjesë në Kupat e Europës, ndërsa këtë sezon ka prekur edhe fundin, teksa rrezikon seriozisht edhe qëndrimin në Superligë.

Dhe ai që e vuan më shumë këtë gjendje, edhe pse tani angazhimet nuk e lejojnë të jetë pjesë klubit me kohë të plotë, është vetë Safet Gjici, i cili gjithsesi nuk i ka humbur ende shpresat për ta parë klubin aty ku të gjithë dëshirojnë.

GJICI – Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, kryebashkiaku i Kukësit u bën një “skaner” gjithë problematikave, që ka hasur skuadra këtë periudhë, dhe jo vetëm, dhe kërkon që gjithsecili të mbajë përgjegjësinë që i takon për rezultatet, të cilat merr skuadra.

“Problemi kryesor ka qenë merkatoja e bërë në verë, ku u afruan shumë lojtarë që shiheshin si cilësorë dhe nuk na dolën ashtu siç e prisnim. Për ato lëvizje di që klubi i ka nxjerrë përgjegjësitë, ku edhe janë larguar disa lojtarë që nuk dhanë atë që pritej në fazën e parë.

Në vijim, të gjithë do të kenë përgjegjësi për ecurinë dhe për çdo rezultat. Naim Halili, që për momentin po merret me merkaton, do të ketë përgjegjësitë e tij, e njëjta gjë për trajnerin apo edhe lojtarët. Unë di që klubi ka marrë disa lojtarë të tjerë dhe thuhet se janë cilësorë, por duhet të presim t’i shohim në fushë tani.

Të ndërtosh këtë stadium, të jesh korrekt me pagesat dhe të mos marrësh rezultatet, nuk e di se çfarë të them”, u shpreh fillimisht presidenti i Nderit i Kukësit, i cili dukshëm nuk e fsheh mërzitjen për situatën, që po kalon klubi, të cilin e ndërtoi vetë më shumë se një dekadë më parë.

OBJEKTIVI – Ndonëse skuadra është në vendin e fundit dhe ekipi rrezikon seriozisht mbijetesën, për Gjicin objektivi kryesor mbetet i pandryshuar. Ai kërkon me çdo kusht Europën, në mos nga kampionati të arrihet nga Kupa, sepse tri vite larg saj do të thotë shumë. Kryebashkiaku ka besim se skuadra do ta marrë veten dhe kërkon kthesën që këtë javë.

“Unë jam i bindur se me blerjet e reja që thonë se janë të mira, edhe pse nuk i kemi parë, them se Kukësi do ta marrë veten.

Skuadra duhet të realizojë objektivin në Europë, nëpërmjet Kupës apo kampionatit. Është një objektiv që nuk mund të anashkalohet, për dy vite nuk mori pjesë dhe kjo është fatale. Tani të shpresojmë te kthesa menjëherë dhe pak e nga pak ekipi të nisë ngjitjen”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën Presidenti i Nderit i Kukësit, i cili është jo pak i mërzitur që skuadra nuk po shkon aty ku duhet, për më tepër që tani luajnë edhe në shtëpi në stadiumin e ri.