Futbollistët e brezit 1995-96 të akademisë Vllaznia janë ndër ata që kanë bërë emër në futbollin shqiptar vitet e fundit. Për të përmendur disa emra si: Sherri, Pjeshka, Gurishta,Hakaj, Krymi, Çinari e shumë të tjerë që kanë spikatur në futbollin tonë.

Por nga ky brez futbollistësh ka pasur nga ata që kanë luajtur edhe jashtë vendit, e një prej tyre është Elsamed Ramaj.
I ditëlindjes 26.04.1996, Ramaj gjithë karrierën e tij profesioniste të futbollit e ka zhvilluar në Gjermani.

Së fundmi futbollisti që aktivizohet si anësor i majtë apo edhe mesfushor pas sulmuesit, ka ndërruar skuadër. Pasi ishte pjesë e Offenbach Kickers sezonin e shkuar, Ramaj tashmë do jetë pjesë e skuadrës së Alemania Achen.

Madje mëngjërashi ka bërë debutimin në një miqësore të zhvilluar nga skuadra e tij në përgatitjet verore ndaj Maccabi Tel Aviv, ku edhe ka shënuar gol duke i dhënë fitoren 1-0 asaj. Një start fantastik ky për futbollistin me origjinë nga Malësia e Madhe. Tashmë performanca e tij do shihet gjatë sezonit, por shenjat fillestare janë fantastike për 26-vjeçarin.
Endri ÇINARI