Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe trajneri aktual i Tërbunit, Elvin Beqiri ka folur së fundmi për situatën e kuqebluve. Ish-mbrojtësi vuri theksin tek loja e dobët e javëve të fundit, por duke qenë optimist për këtë fund sezoni për shkodranët që ende janë në luftë për fitimin e kupës së Shqipërisë.
Beqiri tha: “Vllaznia ka disa javë që nuk po shpreh lojën e saj. Mungon dinamizmi, grinta apo befasia e skuadrës. Ekipi nuk po shprehet dot dhe kjo u vu re edhe në ndeshjen e fundit kundër Laçit. Lojtarët duhet të tregojnë karakter në këto momente dhe të nxjerrin skuadrën nga situata ku ndodhet aktualisht.
E shoh problemin më tepër tek përqendrimi, pasi Vllaznia luan futboll në 60-70 minutat e para duke i dominuar kundërshtarët. Por siç ndodhi në ndeshjen kundër Kastriotit pati probleme në 20 minutat e fundif. Vendimet e Plorit ? Ne mund ti analizojmë nga jashtë, por ato i di ai më mirë se kushdo sepse i ka lojtarët çdo ditë me vete në stërvitje.
Kam besimin se Vllaznia do e kalojë këtë krizë dhe do marrë një kualifikim kundër Partizanit në kupë. Pastaj mund ta fusë sezonin në drejtimin e duhur.
Tërbuni ? Kemi marrë një fitore të rëndësishme kundër Besëlidhjes në ndeshjen e fundit. Jemi totalisht brenda objektivave dhe skuadra po tregon ecuri të mirë. Do kemi një ndeshje akoma më të fortë këtë fundjavë kundër Bylis në transfertë ku patjetër udhëtojmë për të bërë më të mirën tonë”.
Endri ÇINARI